A po shkon industria e gjysmëpërçuesve drejt një krize të madhe?
Ka arsye për të besuar se rënia, nëse ndodh, do të jetë më pak e thellë sesa rritja e vrullshme që e ka paraprirë, shkruan the Economist…
Për më shumë se katër dekada, industria e gjysmëpërçuesve është udhëhequr nga dy ligje, pothuajse po aq të besueshme sa ligjet e fizikës. I pari është se numri i transistorëve, ndërprerësve mikroskopikë të vendosur në një çip, vazhdon të rritet.
I dyti është se çdo periudhë lulëzimi përfundon me një krizë. Ligji i parë, që i bën çipat gjithnjë e më të fuqishëm, vazhdon të funksionojë më së miri.
Procesorët më të avancuar për Inteligjencën Artificiale përmbajnë mbi 200 miliardë transistorë dhe industria vlerëson se deri në fund të kësaj dekade mund të arrijë të vendosë një mijë miliardë transistorë në një çip. Ndërkohë, ligji i dytë po ngjall shqetësime për kohëzgjatjen e periudhës së favorshme.
Industria është mësuar me periudha lulëzimi, por jo me një të tillë. Inteligjenca Artificiale ka krijuar një kërkesë thuajse të pangopshme për çipat që përdoren për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të saj.
Në gjysmën e parë të vitit 2026, shitjet e gjysmëpërçuesve u rritën me ritmin më të shpejtë vjetor të regjistruar që nga vitet 1980 (shih grafikun).
Këtë muaj, TSMC, prodhuesi më i madh në botë i çipave me porosi, raportoi tremujorin e gjashtë radhazi me fitime rekord, ndërsa Samsung Electronics, gjiganti koreanojugor i industrisë, raportoi të katërtin. Megjithatë, investitorët po bëhen gjithnjë e më nervozë.
Pavarësisht rezultateve të jashtëzakonshme financiare dhe parashikimeve optimiste, një indeks i kompanive kryesore të gjysmëpërçuesve ka rënë me më shumë se 10% që prej 6 tetorit.
Shqetësimet e investitorëve u shtuan më tej më 12 tetor, kur Hock Tan, drejtuesi i Broadcom, një kompani e madhe projektuese çipash, i krahasoi shumë prej investitorëve në sektorin e Inteligjencës Artificiale me kumarxhinj në kazino, të cilët “nuk e kanë idenë” se ku po investojnë.

Pothuajse e gjithë rritja e pritshme e industrisë varet nga çipat për Inteligjencën Artificiale, duke e kthyer sektorin në një bast gjigant mbi këtë teknologji.
Nëse ky bast rezulton i gabuar dhe “supercikli”, siç kanë filluar ta quajnë disa, merr fund, a do të përballen prodhuesit e çipave me një rënie po aq të madhe sa rritja e mëparshme? Megjithatë, disa faktorë sugjerojnë se një rënie e tillë mund të mos jetë aq e fortë.
Edhe pse industria e gjysmëpërçuesve është zgjeruar, prodhimi është përqendruar gjithnjë e më shumë në pak kompani. Shumica e kompanive që projektojnë çipa, si Nvidia, njësitë e përpunimit grafik të së cilës kanë nxitur bumin e Inteligjencës Artificiale, nuk i prodhojnë vetë gjysmëpërçuesit e tyre.
Të njëjtën gjë bëjnë edhe kompanitë e softuerëve, si Google dhe OpenAI, të cilat gjithashtu kanë filluar të projektojnë procesorë për Inteligjencën Artificiale.
Në vend të kësaj, ato mbështeten te fabrikat e specializuara për prodhimin e çipave për llogari të kompanive të tjera, dhe veçanërisht te njëra prej tyre. Në fillim të viteve 2000, rreth 25 kompani ishin në gjendje të prodhonin procesorët më të avancuar. Sot këtë mund ta bëjnë vetëm katër dhe TSMC prodhon pothuajse të gjithë procesorët e nivelit më të lartë teknologjik.
E njëjta prirje është vërejtur edhe te çipat e memories, të cilët janë po ashtu jetikë për Inteligjencën Artificiale. Në vitin 1990, më shumë se 20 kompani prodhonin çipa memorieje të avancuar.
Sot, pothuajse i gjithë prodhimi është përqendruar në duart e vetëm tri kompanive: Samsung, SK Hynix dhe Micron.
Në Kinë janë shfaqur prodhues të rinj, si në segmentin e procesorëve, ashtu edhe në atë të çipave të memories. Megjithatë, për shkak të mungesës së aksesit në pajisjet më të avancuara për prodhimin e çipave, ata vazhdojnë të mbeten prapa kufirit më të lartë të zhvillimit teknologjik.
Përqendrimi i industrisë u ka mundësuar pak prodhuesve dominues të përcaktojnë ritmin e zgjerimit të kapaciteteve dhe të diktojnë kushtet e shitjes.
Ata po investojnë shuma të mëdha për të përfituar nga bumi. Shpenzimet kapitale të TSMC pritet të arrijnë rreth 62 miliardë dollarë këtë vit, më shumë se 1.5 herë krahasuar me vitin 2025. Për vitin e ardhshëm, analistët presin që ato të arrijnë rreth 76 miliardë dollarë. Edhe prodhuesit e çipave të memories i kanë rritur investimet e tyre.
Megjithatë, këto shpenzime mbeten modeste në krahasim me përfitimet e jashtëzakonshme që po gjeneron Inteligjenca Artificiale. Si përqindje e të ardhurave, shpenzimet kapitale të TSMC pritet të ulen nga 44% në vitin 2023, në 36% këtë vit.
Për më tepër, investimet po financohen nga flukset monetare që gjenerojnë vetë prodhuesit e çipave, dhe jo nga huamarrja.
Këtë vit, zgjerimi i kapaciteteve të TSMC do të përdorë pak më shumë se gjysmën e fluksit monetar nga aktiviteti operacional, ndërsa Samsung do të përdorë vetëm rreth 20% të këtij fluksi. Borxhet e këtyre prodhuesve duken modeste krahasuar me rezervat e tyre monetare në rritje.
Sipas Bill Wiseman, nga kompania konsulente McKinsey, prodhuesit po përfitojnë nga një “mjedis shumë i favorshëm çmimesh” dhe kanë çdo arsye për ta kontrolluar ritmin e zgjerimit të kapaciteteve, në mënyrë që ta ruajnë këtë situatë. DRAM, një lloj memorieje që përdoret pothuajse në të gjitha pajisjet elektronike, kushton sot rreth gjashtë herë më shumë se në fillim të vitit 2023.
TSMC nuk e ka ulur çmimin e procesit të saj të prodhimit me teknologji tre nanometra, të prezantuar në fund të vitit 2022, megjithëse zakonisht një proces prodhimi bëhet më i lirë pas disa vitesh.
Ritmi i zgjerimit të kapaciteteve është penguar gjithashtu nga fakti se shumë prej fabrikave të reja të çipave po ndërtohen në Shtetet e Bashkuara, ku ndërtimi zgjat “rreth dy herë më shumë”, sipas Wiseman.
Përqendrimi i industrisë u ka dhënë gjithashtu prodhuesve të çipave më shumë fuqi negociuese, duke ndryshuar edhe mënyrën se si do të shpërndahet barra e një ngadalësimi të mundshëm.
Deri vonë, çipat e memories shiteshin kryesisht në tregun spot, ku transaksionet kryhen me çmimet e momentit, ose përmes kontratave afatshkurtra. Kur kërkesa dobësohej, klientët nuk kishin detyrim të vazhdonin blerjet dhe, për pasojë, çmimet binin ndjeshëm.
Tani, kur kapacitetet janë të kufizuara dhe blerësit kanë vetëm pak furnizues mes të cilëve mund të zgjedhin, ata po nënshkruajnë kontrata disa vite përpara, sipas kushteve të vendosura nga shitësit. Nvidia është angazhuar të shpenzojë më shumë se 250 miliardë dollarë për të siguruar furnizimet dhe komponentët deri në janar të vitit 2029.
Në shtator, Micron deklaroi se marrëveshjet e tipit “take-or-pay”, sipas të cilave klientët duhet të blejnë sasitë e dakordësuara ose të paguajnë gjithsesi për to, kanë garantuar 35% të të ardhurave të kompanisë deri në vitin 2030.
Këto marrëveshje përfshijnë angazhime me vlerë 32 miliardë dollarë, shumica e të cilave shoqërohen me depozita monetare. Parapagime të tilla ndihmojnë në financimin e fabrikave të reja. Ato gjithashtu transferojnë të paktën një pjesë të rrezikut të një krize te blerësit.
Fundi i bumit të Inteligjencës Artificiale do t’u shkaktonte gjithsesi shumë vështirësi prodhuesve të çipave. Nëse shpenzimet ndalojnë rritjen, çmimet do të bien, fitimet do të tkurren dhe çmimet e aksioneve, që kanë arritur nivele të larta, do të zbresin sërish në tokë.
Klientët do të përpiqen të rinegociojnë kontratat e nënshkruara në kulmin e tregut. Ligji i dytë i industrisë së gjysmëpërçuesve vazhdon të jetë në fuqi. Por këtë herë, pasojat e përfundimit të bumit do t’i ndiejnë edhe klientët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






