Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping pritet të zhvillojnë një takim trepalësh në kuadër të një samiti që do të mbahet javën e ardhshme në Kinë, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Takimi historik mes liderëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës do të zhvillohet gjatë pjesëmarrjes së Trump në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në qytetin jugor të Shenzhenit. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, e cila foli për mediat.
“Presidenti e ka bërë të qartë se, mes çështjeve të tjera, do të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave presidenti Trump e konsideron shumë të rrezikshme”, deklaroi ajo.
Mësohet se gjatë takimit mes tri fuqive më të mëdha bërthamore në botë mund të diskutohet edhe çështja e Iranit, por jo lufta në Ukrainë. Rusia e ka konfirmuar takimin, ndërsa Kina ende nuk ka reaguar.
Megjithatë, sipas agjencive të lajmeve AP dhe Reuters, një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se nuk pritet që bisedimet të prodhojnë ndonjë marrëveshje.
Trump do të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, për samitin dyditor ku marrin pjesë 21 shtete anëtare. Të enjten, ai do të zhvillojë gjithashtu një takim dypalësh me presidentin kinez Xi Jinping. Ky do të jetë takimi i tyre i katërt që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
“Presidenti Trump do ta përmbyllë vizitën e tij në Kinë me një takim trepalësh mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, presidentit të Republikës Popullore të Kinës dhe presidentit të Federatës Ruse”, tha Wales.
Ajo shtoi se udhëtimi i Trump, i cili përfshin edhe pjesëmarrjen në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Filipine të martën, synon të “sigurojë arritje historike për popullin amerikan dhe të çojë përpara interesat e SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor”.
Ndërkohë, në shkurt skadoi traktati për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë, duke i lënë dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë pa mekanizma të rëndësishëm kufizues. Kjo shënoi praktikisht fundin e bashkëpunimit për kontrollin e armëve, i cili kishte ndihmuar në kapërcimin e tensioneve të Luftës së Ftohtë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje të dyja palëve të bien dakord pa vonesa për një kuadër të ri bashkëpunimi. Trump, megjithatë, ka deklaruar se marrëveshja mund të zëvendësohet me një akord më të mirë, ku të përfshihet edhe Kina, e cila po zgjeron arsenalin e saj bërthamor.
Në atë kohë, ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe analistë i thanë BBC-së se përfshirja e Pekinit dhe Moskës në një marrëveshje të tillë mund të përballej me pengesa të mëdha dhe të kërkonte disa vite negociata.
Xi Jinping priti veçmas Vladimir Putinin dhe Donald Trumpin në Pekin, me vetëm pak ditë diferencë, në fillim të këtij viti. Ndërkohë, presidenti amerikan priti homologun e tij kinez në Uashington në muajin shtator.
Pekini është kthyer në një partner të rëndësishëm tregtar për Moskën që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, një zhvillim që e ka izoluar Rusinë dhe e ka vendosur atë nën sanksionet perëndimore.
Megjithatë, një marrëveshje e diskutueshme e SHBA-së për importin e naftës dizel ruse, si dhe pezullimi i sanksioneve ndaj blerësve më të mëdhenj të naftës dhe gazit të Moskës, përfshirë Kinën, shtuan muajin e kaluar shqetësimin e vendeve europiane për afrimin e administratës Trump me Kremlinin.
Ndërkohë, Trump dhe Xi janë përpjekur të shfaqin marrëdhënie më të ngrohta gjatë takimeve të nivelit të lartë në Pekin dhe Uashington këtë vit. Megjithatë, duket se ka pasur pak përparim konkret për çështjet kryesore, si tregtia, gara mes dy vendeve për dominimin në fushën e inteligjencës artificiale dhe Tajvani.
Edhe lufta në Iran mbetet një pikë mosmarrëveshjeje mes tyre. Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane dhe partneri kryesor tregtar i Teheranit.
Të premten, mediat shtetërore kineze raportuan se Xi do të merrte pjesë në bisedime dypalëshe në kuadër të samitit të APEC-ut, duke cituar një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme. Megjithatë, ato nuk kanë raportuar për takimin trepalësh.
Në fillim të këtij muaji, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi për mediat shtetërore ruse se kishte “sinjale që konfirmonin gatishmërinë” për zhvillimin e një takimi të tillë në kuadër të samitit. /BBC/
© SYRI.net