Rritja e TVSH, goditja e radhës për turizmin

Pas gati një dekade me TVSH prej 6%, qeveria propozon rritjen e saj në 10% për akomodimin, duke i dhënë turizmit një tjetër goditje pas zhvlerësimit të pandalshëm të euros kundrejt lekut dhe rritjes së kostove të operimit. Operatorët paralajmërojnë se goditja e dyfishtë rrezikon konkurrueshmërinë e Shqipërisë, e cila deri tani ka tërhequr turistët kryesisht për çmimet e ulëta. Sipas tyre, akomodimi mund të shtrenjtohet me 10–15%, ndërsa hotelet që i kanë shitur tashmë paketat për vitin 2027 do të detyrohen ta përballojnë vetë barrën shtesë. Përfaqësuesit e sektorit kërkojnë rishikimin e masës, një TVSH të unifikuar për shërbimet turistike dhe formalizimin e tregut të apartamenteve me qira ditore. Pas disa vitesh rritjeje të fortë, por me një 2026 më të zbehtë se pritshmëritë, ndryshimet fiskale shtojnë pasigurinë për ecurinë e turizmit në vitin e ardhshëm. Goditja e një sektori, pesha e të cilit është dyfishuar në pak vite, duke arritur në 5.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Nertila Maho
Pas gati një dekade me TVSH të reduktuar prej 6%, hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese në Shqipëri pritet të përballen me një normë më të lartë tatimi. Qeveria ka propozuar që, nga 1 janari 2027, TVSH-ja për akomodimin të rritet në 10%, një ndryshim nga i cili llogarit të arkëtojë 593 milionë lekë shtesë në buxhet.
Masa, e përfshirë në Paketën Fiskale 2027, prek një nga lehtësitë kryesore që iu dhanë sektorit në vitin 2017, kur ulja e TVSH-së në 6% u përdor si instrument për nxitjen e turizmit.
Norma e re do të zbatohet për shërbimet e akomodimit, por edhe për të gjitha shërbimet që ofrohen brenda hoteleve dhe resorteve me pesë yje, me status special, që operojnë nën marka të njohura ndërkombëtare.
Për qeverinë, argumenti kryesor është se turizmi nuk ndodhet më në të njëjtën fazë zhvillimi si në kohën kur u miratua lehtësia fiskale. Në relacionin e projektligjit, rishikimi i TVSH-së lidhet me rritjen dhe maturimin e sektorit, si dhe me nevojën për të shtuar të ardhurat buxhetore, pa hequr plotësisht trajtimin e tij preferencial.
“Rritja e propozuar synon të kontribuojë jo vetëm në të ardhurat buxhetore, por edhe të ruajë njëkohësisht trajtimin mbështetës për këtë sektor”, thuhet në relacion.
Në mbështetje të ndryshimit, qeveria i referohet edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka vënë në diskutim efektivitetin e uljes së TVSH-së në hoteleri. Sipas analizës së cituar në relacion, përfitimi nga norma e reduktuar mund të jetë mbajtur kryesisht nga operatorët, në formën e të ardhurave më të larta, pa u përkthyer domosdoshmërisht në një nxitje shtesë për turistët.
Qeveria argumenton gjithashtu se rritja e turizmit nuk mund t’i atribuohet vetëm uljes së TVSH-së. Sipas relacionit, zgjerimi i sektorit kishte nisur përpara vitit 2017 dhe është ndihmuar edhe nga përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e kërkesës turistike.
Për të justifikuar normën e re, relacioni sjell edhe krahasimin me destinacionet e tjera turistike. Italia aplikon TVSH prej 10% për akomodimin, Greqia dhe Kroacia nga 13%, ndërsa Mali i Zi e ka rritur në 15%.
Në këtë krahasim, qeveria e paraqet normën e propozuar prej 10% si një nivel që mundëson më shumë të ardhura për buxhetin, duke ruajtur një trajtim të reduktuar për turizmin.
Turizmi mes dy goditjeve, TVSH më e lartë, euro më e dobët
Përfaqësuesit e industrisë turistike e shohin ndryshe nga qeveria momentin e zgjedhur për rritjen e TVSH-së.
Për ta, ndryshimi nuk vjen në një treg që ka kapërcyer vështirësitë e zhvillimit, por në një periudhë kur zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, rritja e pagave dhe e shpenzimeve të përditshme po pakësojnë të ardhurat dhe marzhet e fitimit. Shqetësimi është se fatura e re fiskale do të rëndojë pikërisht mbi avantazhin me të cilin Shqipëria ka konkurruar deri tani: çmimin.
“Vendimi për rritjen e TVSH-së në akomodim nga 6% në 10% është një goditje direkte ndaj konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar në Ballkan”, thotë Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.
Ai e kundërshton edhe kohën e propozimit, duke përmendur, ndër të tjera, zhvlerësimin e euros me mbi 40% këto katër vitet e fundit, dyfishimin e pagave të fuqisë punëtore dhe shtrenjtimin e lëndëve të para që e shtojnë barrën.
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, e lidh humbjen e konkurrueshmërisë me profilin e kërkesës që tërheq vendi. “Duhet të kemi parasysh se Shqipëria tërheq kryesisht segmentin e turistëve me buxhet të ulët (low cost), për të cilët çmimi është një nga kriteret kryesore në zgjedhjen e destinacionit.
Për këtë kategori turistësh, çdo rritje e çmimeve ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrjen për pushimet.” Për një treg të tillë, sipas tij, rritja e tarifave të akomodimit nuk mbetet vetëm një problem i bilanceve të hoteleve, por mund të ndryshojë edhe zgjedhjet e turistëve.
Viti 2027 përbën një provë të veçantë për hotelet që punojnë me turistë të organizuar, kryesisht në Golem, Durrës dhe Vlorë. Një pjesë e tyre i kanë shitur paketat për sezonin e ardhshëm dhe kanë përcaktuar çmimet në kontrata me partnerët ndërkombëtarë. “Në rastin e kontratave të garancisë, çmimet janë të përcaktuara dhe hotelet nuk mund t’i ndryshojnë në mënyrë të njëanshme.
Ato nuk mund të rrezikojnë as marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, me të cilët bashkëpunojnë. Për këtë arsye, do të jenë të detyruara ta përballojnë vetë rritjen e barrës fiskale”, shprehet z. Kasa.
Për kontratat e vitit 2028, që negociohen gjatë vitit 2027, ai pret që ndryshimi i TVSH-së të reflektohet në çmime.
Për strukturat që shesin drejtpërdrejt te turistët individualë ose përmes platformave online, përshtatja e çmimeve mund të nisë më herët. Por TVSH-ja është vetëm njëra anë e problemit.
“Dua të theksoj se kjo rritje e TVSH-së vjen në një periudhë kur zhvlerësimi i euros kundrejt lekut vazhdon të ndikojë negativisht në të ardhurat e sektorit”, thotë z. Kasa.
Për hotelet që arkëtojnë në euro, ndërsa një pjesë të madhe të shpenzimeve e paguajnë në lekë, kursi i këmbimit mbetet një tjetër burim i vazhdueshëm presioni që nuk po njeh ndalje.
“Duke i marrë së bashku këta dy faktorë, vlerësoj se çmimet e akomodimit mund të rriten me 10-15%, ku një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje lidhet me efektin e kursit të këmbimit”, paralajmëron z. Kasa.
Ai shton se, në një Europë ku turistët po planifikojnë me më shumë kujdes shpenzimet, shtrenjtimi mund ta dobësojë pozicionin e Shqipërisë në segmentin e udhëtimeve me kosto të ulët.
Efekti, sipas përfaqësuesve të sektorit, nuk kufizohet vetëm te një sezon turistik, por te planet e biznesit që operatorët kanë në afatgjatë. “Në kushte të tilla, është e natyrshme që bizneset të përqendrohen fillimisht te mbijetesa dhe ruajtja e aktivitetit ekzistues, në vend që të planifikojnë zgjerimin apo investime të reja”, pohon z. Kasa.
Ndërkohë z. Topuzi sjell në vëmendje se lëvizja e fundit do t’i vendosë hotelet formale përballë detyrimeve të reja dhe një konkurrence të padrejtë me një numër të madh apartamentesh me qira ditore që, sipas tij, nuk janë formalizuar plotësisht.

Burimi: INSTAT
Alternativat: TVSH e unifikuar për sektorin, ose zgjerim i bazës
Pavarësisht kritikave brenda sektorit të turizmit lakohen alternativa që takohen në disa pika dhe ndahen në të tjera për atë që mund të bëhet.
Këto alternativa bashkohen te kërkesa që rregullat të jenë më të qëndrueshme dhe konkurrenca mes operatorëve të jetë më e barabartë, por vendosin theksin në instrumente të ndryshme.
Rrahman Kasa thekson se Unioni Turistik Shqiptar ka lakuar prej vitesh mundësinë për një normë të vetme TVSH-je prej 10% për të gjithë zinxhirin e shërbimeve, jo një rritje të izoluar të tatimit për fjetjen në hotel.
“Kjo do të thotë që norma të mos zbatohet vetëm për akomodimin, por të përfshijë të gjithë zinxhirin e shërbimeve turistike, si shërbimet SPA, transportin turistik dhe bar-restorantet brenda strukturave akomoduese të certifikuara”, shpjegon z. Kasa.
Ai argumenton se normat e ndryshme e ndërlikojnë administrimin, krijojnë hapësira për informalitet dhe pengojnë konkurrueshmërinë. “Unifikimi i TVSH-së nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të përmirësojë menjëherë gjendjen financiare të bizneseve, por do ta bënte sistemin e taksimit më të drejtë, më të thjeshtë dhe më të parashikueshëm për të gjithë sektorin”.
Z. Topuzi, nga ana tjetër, e vendos formalizimin e akomodimit në qendër të alternativës së parë. Sipas shifrave që ai citon nga Strategjia e Turizmit 2026–2030, vetëm 22% e rreth 285 mijë shtretërve turistikë janë në hotele, ndërsa pjesa tjetër janë kryesisht apartamente me qira ditore.
Në këtë realitet, sipas tij, zgjerimi i numrit të subjekteve që deklarojnë dhe paguajnë tatime do të ishte rrugë tjetër për të rritur të ardhurat publike. “Formalizimi i tregut të apartamenteve me qira ditore. Duke mbajtur të njëjtën TVSH 6%, mund të sigurohet zgjerimi i fashës paguese”, është propozimi i tij i parë.
Si alternativë, z. Topuzi propozon që TVSH-ja prej 10% të zbatohet si për akomodimin, ashtu edhe për ushqimin, për ta bërë turizmin shqiptar më konkurrues në rajon.
Për operatorët turistikë, shqetësimi nuk lidhet vetëm me rritjen e TVSH-së, por edhe me momentin kur ajo pritet të zbatohet. Me kontratat për vitin 2027 tashmë të nënshkruara, përfaqësuesit e sektorit të turizmit kërkojnë dialog me qeverinë dhe një periudhë tranzitore për zbatimin e ndryshimeve fiskale.
Pas disa vitesh rritjeje të fortë, turizmi ka dhënë gjatë vitit 2026 sinjalet e para të ngadalësimit, me një ecuri më të zbehtë se pritshmëritë. Në këto kushte, rritja e TVSH-së, nëse miratohet, shton pasiguritë për vitin 2027.
Mbetet e paqartë se sa nga barra e re do të përballohet nga bizneset, sa do të transferohet në çmimet për turistët dhe çfarë ndikimi do të ketë në kërkesën turistike.
Pas një periudhe kur sfida kryesore ishte ruajtja e ritmeve të larta të rritjes, sektori rrezikon të përballet me një sfidë dhe nëse do të mund të vazhdojë të rritet në kushtet e kostove më të larta dhe konkurrencës gjithnjë e më të fortë.
Protestat frenojnë rezervimet, por operatorët nuk shohin dëmtim të imazhit në afatgjatë
Protestat dhe tensionet politike të muajve të fundit kanë ndikuar në rezervimet e strukturave akomoduese, veçanërisht në Tiranë, por operatorët turistikë nuk vlerësojnë se këto zhvillime kanë cenuar imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Shqetësimi i tyre lidhet më shumë me pasigurinë që krijon situata dhe ndikimin në funksionimin normal të bizneseve, ndërsa pasojat për vitin 2027 mbeten ende të paqarta.
Një prej operatorëve të rëndësishëm hotelierë në kryeqytet pohon për “Monitor” se vetëm gjatë tetorit është regjistruar një rënie prej 20% e rezervimeve të konfirmuara, një tkurrje që e konsideron të ndjeshme për tregun e Tiranës. Sipas tij, nëse situata vazhdon e pandryshuar, rënia mund të jetë e ngjashme ose edhe më e thellë në muajt pasues.
Ai parashikon që viti 2026 të mbyllet me një rënie të aktivitetit prej rreth 5% krahasuar me vitin e kaluar. Ecurinë e dobët e lidh me dy zhvillime kryesore: konfliktin me Iranin dhe tensionet e brendshme politike.
“Ulja e çmimeve nuk do ta ndryshonte situatën. Tirana ka tashmë çmime shumë të ulëta dhe nuk besoj se çfarëdo uljeje tjetër do të ndikonte në rezervime. Nëse situata vazhdon kështu, mendoj se do të na duhet të marrim kredi për të përballuar shpenzimet operative”, pohon një prej operatorëve hotelierë.
Gjithsesi, ai nuk beson se zhvillimet aktuale kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik. Problemi, sipas tij, lidhet më tepër me garancinë e sigurisë dhe funksionimin e infrastrukturës mbështetëse të sektorit. Është ende herët për të vlerësuar përmasat e pasojave ekonomike, por prishja e normalitetit të aktivitetit mund të ketë ndikime të konsiderueshme negative për bizneset.
Edhe Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, konfirmon se protestat dhe tensionet janë reflektuar në rënien e numrit të turistëve, veçanërisht në Tiranë, por ndikimi nuk ka qenë shumë i madh, pasi kjo periudhë përkon me sezonin e ulët turistik.
Z. Kasa vëren gjithashtu se zhvillime të ngjashme janë regjistruar edhe në vende të tjera, duke e zbutur disi ndikimin që mund të kishte një situatë e izoluar vetëm në Shqipëri.
Ai nuk mendon se këto zhvillime kanë dëmtuar imazhin e vendit si destinacion turistik, ndonëse pranon se kanë ndikuar në aktivitetin e sektorit.
Sa i përket vitit 2027, z. Kasa shprehet se është ende e vështirë të bëhen parashikime, veçanërisht në kushtet kur ndryshimet e propozuara fiskale përkojnë me rritjen e kostove të operimit.
Sipas tij, edhe viti 2026 pritet të mbyllet me një rritje më të ulët të aktivitetit turistik sesa parashikohej përpara dhe gjatë sezonit veror.
Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, paralajmëron se protestat përbëjnë një tjetër moment kritik që mund të ndikojë negativisht në industrinë turistike në vitin 2027.
Ai kërkon maturi politike dhe institucionale, duke theksuar se turizmi nuk mund të mbajë mbi shpatulla faturën e betejave politike. Sipas tij, investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë qetësi dhe siguri, ndërsa sektori që siguron të ardhura për qindra mijë familje ka nevojë për stabilitet.
Draftligji i ri i turizmit vendos rregulla për apartamentet dhe kontrolle mbi hotelet
Paralelisht me propozimin e Paketës Fiskale për rritjen e TVSH-së së akomodimit nga 6% në 10%, qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri për turizmin, i cili parashikon detyrime të reja për regjistrimin, kategorizimin dhe raportimin e aktivitetit të strukturave akomoduese.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me apartamentet, vilat, banesat dhe dhomat që jepen me qira për qëndrime afatshkurtra, përfshirë ato që ofrohen përmes platformave elektronike të rezervimit.
Sipas nenit 48, këto njësi duhet të regjistrohen në portalin e-Albania përpara fillimit të aktivitetit dhe të pajisen me një kod unik regjistrimi. Regjistrimi është i detyrueshëm për çdo njësi veçmas, pavarësisht nëse menaxhohet individualisht apo nga një operator që administron disa prona.
Kodi unik duhet të afishohet në çdo ofertë, reklamë apo publikim, përfshirë platformat online të rezervimeve. Kriteret minimale, dokumentacioni dhe procedurat e regjistrimit do të përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për Turizmin.
Për hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese, projektligji parashikon detyrimin për të kërkuar certifikatën e kategorizimit brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Certifikata e klasifikimit do të ketë vlefshmëri tetëvjeçare, ndërsa strukturat do t’u nënshtrohen verifikimeve periodike për respektimin e standardeve.
Një tjetër dispozitë me rëndësi fiskale është detyrimi i sipërmarrësve turistikë për të deklaruar kapacitetin e shfrytëzimit të strukturave akomoduese. Për qëllime tatimore, ky kapacitet nuk mund të jetë më i ulët se niveli minimal që do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, së bashku me periudhën përkatëse të shfrytëzimit.
Projektligji kërkon gjithashtu regjistrimin elektronik të klientëve dhe raportimin mujor të të dhënave për vizitorët dhe netët e qëndrimit, duke përfshirë edhe njësitë e akomodimit afatshkurtër.
Për ushtrimin e aktivitetit pa certifikatë kategorizimi parashikohen gjoba nga 20 mijë deri në 400 mijë lekë, sipas numrit të dhomave. Mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë i të dhënave statistikore dënohet me gjobë 100 mijë lekë.
LEXONI EDHE:
Zak Topuzi: Rritja e TVSH-së na bën më pak konkurrues në rajon, masa godet biznesin formal
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.







