Kundër krizës së strehimit, mijëra portugezë në protestë
Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Lisbonës dhe të rreth 30 qyteteve të tjera të Portugalisë për të protestuar kundër krizës së strehimit, e cila është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatit publik në vend.
“Ulni qiratë, rritni pagat”, ishte thirrja e protestuesve në kryeqytetin portugez, ku qytetarët kërkuan masa konkrete për ta bërë strehimin më të përballueshëm.
Mes protestuesve ishte edhe David Peters, 23 vjeç, i diplomuar në komunikim dhe i punësuar me kohë të pjesshme, i cili ende jeton me prindërit, por dëshiron të bëhet i pavarur.
“Strehimi është pengesa kryesore, prandaj jemi këtu duke protestuar”, deklaroi ai për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).
Edhe Matilde Cunha, 20 vjeçe, studente e Arteve të Bukura në Coimbra, u shpreh se të rinjtë po përballen me vështirësi të mëdha për të gjetur banesa me kushte të përshtatshme dhe çmime të përballueshme.
“Ne duam vetëm një vend ku të mund të studiojmë, por nuk arrijmë të gjejmë strehim në kushte të mira. Për më tepër, kërkohen çmime që askush nuk mund t’i përballojë”, tha ajo.
Ndërkohë, Maite Chavez, 40 vjeçe, me origjinë nga Uruguai dhe banuese në Lisbonë prej 17 vitesh, theksoi se hendeku mes pagave dhe qirave po e bën jetën gjithnjë e më të vështirë.
Portugalia kryeson BE-në për rritjen e çmimeve të banesave Kriza e strehimit në Portugali konfirmohet edhe nga të dhënat e fundit të Eurostat. Sipas statistikave të publikuara këtë javë, Portugalia është vendi i Bashkimit Evropian ku çmimet e pronave janë rritur më shumë në raport me të ardhurat e familjeve gjatë periudhës 2015–2025. Indeksi që mat këtë raport është rritur me 60,8% në Portugali, shumë më tepër se në Holandë, e cila renditet e dyta me një rritje prej 34,3%. Kjo situatë ka bërë që blerja e një banese apo marrja me qira e saj të jetë gjithnjë e më e vështirë për familjet dhe veçanërisht për të rinjtë. Protestat kundër projektligjit që lehtëson dëbimin e qiramarrësve Demonstratat e fundit u zhvilluan pas miratimit në Kuvend të një projektligji reformues, i cili synon, ndër të tjera, të thjeshtojë dhe përshpejtojë procedurat e dëbimit të qiramarrësve. Projektligji është propozuar nga qeveria e djathtë, e cila nuk disponon shumicë absolute në Parlament. Në leximin e parë, në fund të shtatorit, nisma mori mbështetjen e nevojshme falë abstenimit të forcave të ekstremit të djathtë. Debati për këtë çështje u intensifikua edhe pas protestave në Spanjë, ku një grua 80-vjeçare u dëbua nga banesa e saj në Madrid dhe më pas ndërroi jetë.
Aktivistët ngrenë çadra në sheshet kryesore të qyteteve
Duke ndjekur shembullin e lëvizjeve të ngjashme në qytetet spanjolle, aktivistët portugezë për të drejtat e strehimit kanë nisur një fushatë për ngritjen e çadrave në sheshet simbolike të Lisbonës dhe Portos.
Megjithatë, nismat e tyre janë përballur me reagimin e ashpër të autoriteteve. Në disa raste, protestuesit janë larguar me forcë nga policia.
Ndërkohë, presidenti i Portugalisë, António José Seguro, ka bërë thirrje për dialog mes qeverisë dhe opozitës, me synimin për të gjetur zgjidhje ndaj krizës së strehimit.
Megjithatë, takimet mes kryeministrit Luís Montenegro, përfaqësuesve të së djathtës ekstreme dhe socialistëve nuk kanë sjellë deri më tani rezultate konkrete.
Presidenca portugeze bëri të ditur se Seguro po i kushton vëmendje të veçantë kësaj krize dhe po përpiqet të përfshijë të gjitha palët e interesuara në gjetjen e një zgjidhjeje.




