Gëzimi, heroi i heshtur që sfidon të ftohtin dhe rrezikun për të mos lënë banorët e Tropojës pa drita!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.11.2026, 23:21

Në një kohë kur shumica prej nesh e marrim si të mirëqenë faktin që mjafton të shtypim një çelës për të pasur drita në shtëpi, pas kësaj gjëje të zakonshme qëndrojnë njerëz që përballen çdo ditë me rrezikun për të garantuar furnizimin me energji elektrike.

Një prej tyre është Gëzim Gjonaj, elektricist në zonën e Gëgysenit të Tropojës, i cili është filmuar teksa ngjitet në një shtyllë të lartë elektrike, në kushte të vështira atmosferike dhe mes maleve të mbuluara nga dëbora.

Pamjet e tregojnë atë në krye të detyrës, duke kryer punën e tij në një lartësi të konsiderueshme, me një përgjegjësi që nuk është aspak e lehtë. Për Gjonajn, kjo duket të jetë një pjesë e zakonshme e përditshmërisë, por për këdo që e sheh videon, është e vështirë të mos kuptojë sakrificën që fshihet pas këtij profesioni.

Qytetari që ka dërguar pamjet në redaksinë tonë shkruan se Gëzimin e mban mend që kur ishte i vogël, gjithmonë në krye të detyrës dhe të gatshëm për të bërë punën e tij.

Por, ndërsa këta punonjës përballen me lartësinë, të ftohtin, motin e keq dhe rrezikun e përditshëm, puna dhe sakrifica e tyre shpesh nuk marrin vlerësimin që meritojnë. Në redaksinë tonë kanë mbërritur denoncime të panumërta nga punonjës të sektorit të energjisë elektrike, të cilët kanë ngritur shqetësimin për pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës.

Është e padrejtë që njerëzit që rrezikojnë veten për të mos lënë familjet pa energji elektrike të mbeten kaq pak të vlerësuar. Heroizmi i tyre nuk duhet të kujtohet vetëm kur shohim pamje të tilla, por të reflektohet edhe në trajtimin, kushtet dhe pagën që marrin.

Gëzim Gjonaj dhe kolegët e tij meritojnë më shumë se një falënderim. Meritojnë respektin dhe vlerësimin që u takon për punën që bëjnë çdo ditë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit