Papa Leoni XIV ka vizituar fshatin e izoluar Santa Cruz de Succhabamba, në malet e Andeve në veri të Perusë, ku ka ngritur shqetësimin për varfërinë, emigrimin dhe shpopullimin e komuniteteve rurale.
Gjatë një meshe në ambient të hapur, Ati i Shenjtë foli për vuajtjet e njerëzve që detyrohen të largohen nga vendlindja në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, duke paralajmëruar se kjo po vë në rrezik mbijetesën e komuniteteve. Ai përmendi gjithashtu rënien e lindshmërisë, që po zbraz fshatrat, si dhe shpërndarjen e pabarabartë të burimeve të tokës.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 40% e popullsisë së rajonit Cajamarca, ku ndodhet fshati, jeton në varfëri, duke e bërë atë rajonin me nivelin më të lartë të varfërisë në Peru. Cajamarca është gjithashtu zona që ka humbur numrin më të madh të banorëve për shkak të migrimit të brendshëm, me rreth 729 mijë persona të lindur atje që tashmë jetojnë në pjesë të tjera të vendit.
Rreth 6 mijë banorë jetojnë në Santa Cruz de Succhabamba, por vizita e Papës mblodhi rreth 20 mijë njerëz nga zona të ndryshme të rajonit, sipas Vatikanit. Ai u prit me këngë dhe brohoritje, ndërsa përshkoi fshatin me automjetin papnor, duke përshëndetur besimtarët që kishin udhëtuar për ta takuar.
Në fjalën e tij, Papa Leoni XIV falënderoi të gjithë ata që kishin bërë rrugë për ta takuar dhe u bëri thirrje të mos humbasin shpresën përballë vështirësive të jetës. Ai u shpreh gjithashtu i emocionuar që rikthehej në një vend që e kishte vizituar disa herë gjatë viteve kur shërbente si ipeshkëv i dioqezës së Chiclayo-s, nga viti 2015 deri në vitin 2023.
“Është si një ëndërr shumë e madhe që Zoti i ka lejuar këtij shërbëtori të vijë këtu”, u shpreh Ati i Shenjtë gjatë takimit në famullinë lokale.
Vizita kishte një domethënie të veçantë për banorët, pasi Papa kishte shërbyer për vite me radhë në këtë zonë dhe kishte krijuar lidhje të ngushta me komunitetet lokale. Prifti Kevin Noriega, i shuguruar prej tij në vitin 2018, tha se rikthimi i Papës kishte sjellë shpresë dhe emocion të jashtëzakonshëm për banorët, të cilët dikur e njihnin si ipeshkvin e tyre, “Atë Robert”.
Peruja është ndalesa më e gjatë e turneut të parë të Papës në Amerikën Latine që prej zgjedhjes së tij në maj të vitit 2025. Kreu i Kishës Katolike, i lindur në Shtetet e Bashkuara, ka jetuar për periudha të gjata në Peru nga viti 1985 deri në vitin 2023 dhe mori shtetësinë peruane në vitin 2015.
Pas vizitës në Chiclayo, Papa pritet të udhëtojë drejt Cusco-s dhe më pas në një zonë të Amazonës peruane, përpara se të përfundojë turneun 12-ditor dhe të rikthehet në Romë.
