Tirana, një qytet me mbi 400 vjet histori, vjen e rrëfyer në një këndvështrim të pazakontë përmes librit më të ri të shkrimtarit dhe gazetarit Ben Blushi, titulluar "Historitë e çmendura të Tiranës". Në këtë vepër të zhanrit historical fiction, ku të gjithë personazhet janë figura reale historike, Blushi zbulon transformimet radikale, shkatërrimet e ndërtesave ikonike dhe prapaskenat e diktaturave që kanë lënë gjurmë në Sheshin "Skënderbej".
Pse një libër për "çmenduritë" e Tiranës?
I lindur dhe rritur në Tiranë, Ben Blushi shpjegon se zanafilla e këtij libri lidhet me një lloj detyrimi ndaj qytetit vendas, por edhe me errësirën e madhe dokumentare që ekziston për katër shekujt e tij të kaluar.
"Së pari unë kam lindur në Tiranë dhe kisha një si detyrim ndaj këtij qyteti ku kam kaluar gjithë jetën... Kuptova para disa vitesh se për Tiranën është shkruar shumë pak. Ka shumë pak libra. Mund të jetë kryeqyteti për të cilin janë shkruar më pak libra në 100 vitet e fundit. Përzgjedhja ime është një bazë çmendurish, nuk është një bazë vetëm kronologjike. Unë kam grumbulluar çmenduritë e Tiranës. Ngjarje që kur ti lexon thua: ua, kjo është e çmendur, pra është e ekzagjeruar, është e tepruar! Dhe ka shumë prej tyre... Të gjithë personazhet e mia janë njerëz të vërtetë, nuk janë fryt i fantazisë sime", tregon Ben Blushi.
Sheshi "Skënderbej" dhe rivaliteti i tiranëve për të lënë gjurmë
Një nga pjesët më goditëse të librit trajton Sheshin "Skënderbej", i cili pësoi ndryshime drastike nga përplasja e ambicieve politike – që nga Ahmet Zogu dhe Benito Mussolini, e deri te Enver Hoxha.
Sipas Blushit, për të ndërtuar Pallatin e Kulturës (dhuratë e udhëheqësit sovjetik Hrushov), u prishën rreth 700 dyqane të Pazarit të Vjetër. Më pas, në vitin 1979, regjimi komunist prishi godinën më të bukur të sheshit – Bashkinë e Vjetër të Tiranës të ndërtuar nga italianët – për të ngritur Muzeun Historik Kombëtar.
"Rivaliteti mes tiranëve, diktatorëve që kanë drejtuar Tiranën për të lënë gjurmë në Sheshin 'Skënderbej', e ka transformuar këtë shesh. Në fillim e bëri Ahmet Zogu, pastaj Enver Hoxha dhe kjo histori vazhdon... Enver Hoxha, për të fshirë gjurmët e Ahmet Zogut dhe të Italisë fashiste, prishi bashkinë edhe shumë ndërtime të tjera. Gjithë ajo zona e Hotel Tiranës (15-katëshit) është ndërtuar mbi lagjen e 'llacifacëve' apo lagjen e të krishterëve. Aty ka pasur një kishë ku ka fjetur Fan Noli. Hotel 15-katëshi është një imitim i shëmtuar i një hoteli në Strugë, ku Enver Hoxha dërgoi arkitektët për ta marrë si model", shpjegon shkrimtari Blushi.
Blushi zbulon gjithashtu një detaj tejet interesant rreth Mozaikut të Muzeut Kombëtar, i cili sipas tij ngjan me kryeveprën e Leonardo da Vincit:
"E shikoni besoj mozaikun e famshëm? Ai është 400 m². Aty janë 13 njerëz... Bëj një krahasim mes atyre 13 figurave dhe 13 figurave të pikturës më të famshme në botë të Da Vinçit, 'Darka e Fundit'. Po t'i vësh të dyja në krahasim, ky i ngjan shumë si pozicion... Ka një sekret mbas këtij mozaiku që unë e kam zbuluar në libër”, vijon Blushi.
Ndërkohë, në vendin ku sot ndodhet sheshi, dikur ngrihej edhe kafeneja më luksoze e Ballkanit, "Kursal":
"Aty ishte një parlament alternativ i Tiranës. Aty bëhej korrupsion, bëheshin intriga, binin qeveri, ngriheshin ministra, bëhej biznes edhe sigurisht kishte femra shumë të bukura edhe pije të shtrenjta. Po të ekzistonte sot do ishte një mrekulli”, tregon shkrimtari.
Intriga me piktorin anglez Edward Lear dhe Kulla e Sahatit
Kulla e Sahatit (e ndërtuar në vitin 1822) dhe Xhamia e Et'hem Beut shërbenin si orientim në kohën kur njerëzit nuk kishin orë dore dhe jeta matet vetëm nga lindja e perëndimi i diellit. Piktori i famshëm anglez Edward Lear erdhi në Tiranë në vitin 1848 dhe lëshoi dëshmitë e para vizuale, por çuditërisht nuk pikturoi Kullën e Sahatit.
"Edward Lear erdhi rastësisht në Tiranë në 1848 dhe vizatoi dy objekte: Urën e Tabakëve dhe Xhaminë e Madhe (që u prish nga bombardimet amerikane në 1944). Por kur erdhi ai, Kulla e Sahatit ishte objekti më i lartë në Tiranë... Njerëzit që drejtonin Tiranën në atë kohë nuk donin që ai ta fotografonte apo ta linte këtë dëshmi dhe e detyruan me pak dredhi e forcë që të vizatonte jo kullën më të bukur, por një xhami tjetër", tregon Ben Blushi ndër të tjera.
Shkolla e vajzave pa burka dhe jeta sekrete e Haki Stërmillit
Ngjarjet historike përfshijnë edhe hapjen e shkollës së parë të vajzave me 1 shtator 1916 nga ushtria austro-hungareze në bashkëpunim me albanologun hungarez Baron Nopcsa.
"Austriakët vendosën të hapnin një shkollë vajzash me një kusht: që ato të ishin të zbuluara, sepse vajzat në këtë qytet ishin të gjitha të mbuluara me burka. Mësuesja e parë ishte Servete Maçi, vetëm 16 vjeçe, e cila u mësonte nxënëseve 13–14 vjeçare."
Një tjetër histori dramatike është ajo e Haki Stërmillit, autorit të romanit të famshëm "Sikur të isha djalë":
"Haki Stërmilli ishte mësues i motrave të Zogut dhe shef i shërbimit sekret. Por kur Zogut i bëjnë një atentat në vitin 1924, Stërmilli u bë me komplotistët. Zogu u çmend sepse s'mund ta tradhtonte miku i vet më i ngushtë... Bëri çmos, e arrestoi në Jugosllavi dhe e mbajti gjashtë vjet në burg”, tregon Blushi.
Albert Einstein me pasaportë shqiptare dhe udhëheqësit botërorë në Tiranë
Libri sjell dëshmi tejet të veçanta për figura botërore që kanë shkelur në Tiranë. Përpara se të bëhej vend përgjimesh nga Gestapoja dhe Sigurimi i Shtetit, "Shtëpia me Gjethe" ishte materniteti privat i Dr. Jani Bashos (mjekut të Ahmet Zogut).
"Albert Einstein, duke i ikur regjimit nazist nga Austria, vjen te mjeku Jani Basho... Me ndihmën e Zogut ai mori një pasaportë shqiptare me të cilën u arratis në Greqi e më pas në Amerikë. Ato dy apo tre ditë te 'Shtëpia me Gjethe', Einstein dëgjonte nga kati i dytë lindjen e foshnjave të Tiranës duke pritur pasaportën e vet”, shpjegon Blushi.
Po ashtu, gjatë periudhës komuniste, në Shkollën e Partisë në Tiranë janë trajnuar tre presidentë të ardhshëm botërorë:
"Në Shkollën e Partisë në Tiranë janë trajnuar si komunistë edhe si gjysmë-guerilas tre presidentë të njohur të botës: Lula i Brazilit, Kabila i Kongos dhe Presidenti i Gabonit (Bongo)”, vijon shkrimtari.
Tirana sot: Mes të shkuarës osmane dhe të ardhmes evropiane
Në përmbyllje, Blushi e ndal vëmendjen te figura 300 vjeçare e poetit dhe hoxhës Zenel Bastari (i njohur edhe si zbutës xhindesh), duke bërë paralele me sfidat e sotme urbane e kulturore të kryeqytetit.
Ben Blushi: Zenel Bastari ka qenë sipas dëshmive të pakta që kemi bejtaxhiu ose poeti më i famshëm i Tiranës për rreth 300 vjet deri kur filluan shkrimtarët të njihen në Tiranë nga vitet '30-'40. Zenel Bastari ishte më i famshmi. Nuk shkruante, vetëm fliste vargje duke ecur nëpër Tiranë dhe nja 10 çuna të rinj që e adhuronin i mbanin shënim vargjet. Aty ka ngelur vepra e tij përmes të folurës. Zenel Bastari ishte një njeri shumë i çuditshëm, shumë inteligjent, shumë dinak e i zgjuar, që përveçse ishte poeti më i madh i Tiranës në atë kohë (bejtaxhi quheshin sipas traditës orientale të të shkruarit), ishte po ashtu hoxhë dhe zbutës xhindesh. Të zbutje xhindet në atë kohë ishte profesion shumë i rëndësishëm.
Gazetarja: Duke pasur parasysh edhe këto lloj besimesh e besytnish, mendoni se ka ndryshuar shumë Tirana apo mentaliteti i njerëzve?
Ben Blushi: Tirana sot është një qytet modern, pothuajse perëndimor, që përpiqet të gjejë një ekuilibër dhe bashkëjetesë harmonike mes të shkuarës orientale, komuniste e ballkanike dhe një të ardhme evropiane. Kjo është sot dilema e këtij qyteti.










Komente
Komento