Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka rikonfirmuar mbështetjen e Francës për Ukrainën, duke paralajmëruar se një fitore e imponuar nga Rusia do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e gjithë Evropës.
Në një reagim në rrjetin social X, Macron theksoi se mbështetja për Kievin nuk lidhet vetëm me solidaritetin ndaj Ukrainës, por është e domosdoshme edhe për mbrojtjen e Francës dhe vendeve të tjera evropiane.
“Nëse Rusia i imponon vullnetin e saj një vendi evropian me forcë, e gjithë Evropa dobësohet”, shkroi presidenti francez.
Sipas tij, Ukraina ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin dhe takimit informal të Këshillit Evropian. Macron veçoi dy prioritete: sigurimin e ndihmës për Ukrainën për të përballuar dimrin dhe krijimin e kushteve për një paqe të drejtë e të qëndrueshme.
Duke iu referuar bisedimeve të fundit me përfaqësuesit amerikanë, Macron u shpreh se ato kanë treguar, sipas tij, mungesën e vullnetit të Vladimir Putin për të negociuar. Ai akuzoi Moskën se po përpiqet ta gjunjëzojë Ukrainën përmes intensifikimit të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike, me synimin për ta lënë vendin pa energji gjatë dimrit.
“Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që ky bast të dështojë”, theksoi Macron, duke bërë thirrje për vazhdimin e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin.
Presidenti francez njoftoi gjithashtu se 42 vende kanë miratuar një deklaratë të përbashkët mbi parimet që duhet të udhëheqin sigurinë evropiane. Ai përmendi edhe punën e “Aleancës së të Gatshmëve”, e krijuar për të përgatitur garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Plani parashikon mbështetjen e ushtrisë ukrainase dhe përgatitjen e një force shumëkombëshe, e cila mund të vendoset në vend pas arritjes së një armëpushimi. Sipas Macron, Evropa duhet të përcaktojë gjithashtu se çfarë roli pret të luajnë Shtetet e Bashkuara në garantimin e sigurisë së kontinentit pas përfundimit të luftës.
Në përfundim, Macron nënvizoi se Ukraina, e cila sipas tij ka ushtrinë më të madhe konvencionale në Evropë, duhet të ketë një rol vendimtar në ndërtimin e arkitekturës së ardhshme të sigurisë evropiane, në bashkëpunim me NATO-n.

