Edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës nis sot në orën 08:00, me pjesëmarrjen e rreth 5,800 garuesve.
Risia e këtij viti është gara prej 5 kilometrash, e cila synon të krijojë më shumë mundësi për përfshirjen e qytetarëve në këtë aktivitet sportiv.
Për organizimin e maratonës janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.
Për shkak të aktivitetit, deri në orën 16:00 do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
E gjithë Unaza e Vogël e Tiranës do të jetë e bllokuar për automjetet, ashtu si bulevardi “Zogu i Parë” dhe Bulevardi i Ri. Kufizimet do të përfshijnë gjithashtu segmentin nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, “Myslym Shyri”, rrugët e zonës së ish-Bllokut, si dhe kryqëzimet që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.
Ndryshime do të ketë edhe në transportin publik urban, pasi disa prej linjave do të devijohen për shkak të zhvillimit të maratonës.

