Vendosni fjalën kyçe....

Maratona e Tiranës mbledh 5 800 garues në edicionin e 10-të, bllokohen disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit


Edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës nis këtë të diel në orën 08:00, me pjesëmarrjen e rreth 5 800 garuesve, duke e kthyer kryeqytetin në një arenë të madhe sportive.

Risia e këtij viti është përfshirja e garës prej 5 kilometrash, e cila synon të krijojë më shumë mundësi për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe të përfshijë një numër më të madh vrapuesish në këtë aktivitet.

Për organizimin e maratonës janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës, të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve.

 

Rrugët që do të bllokohen deri në orën 16:00

Zhvillimi i maratonës do të sjellë kufizime të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve. Deri në orën 16:00, një pjesë e madhe e akseve kryesore të kryeqytetit do të jenë të bllokuara.

Pa qarkullim do të jenë:

  • E gjithë Unaza e Vogël;
  • Bulevardi “Zogu i Parë” dhe Bulevardi i Ri;
  • Segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”;
  • Rruga e Kavajës dhe Rruga e Durrësit;
  • Rruga “Myslym Shyri”;
  • Rrugët e zonës së ish-Bllokut;
  • Kryqëzimet që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.

Për shkak të zhvillimit të garës, edhe disa linja të transportit publik urban do të devijojnë itinerarin e tyre gjatë ditës.

Drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve u këshillohet të marrin parasysh kufizimet në qarkullim dhe të planifikojnë lëvizjet përmes rrugëve alternative.