Zhvillimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste kanë sjellë reagimin e deputetes së pavarur Marjana Koçeku.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku ka komentuar me ironi atë që ndodhi gjatë mbledhjes së socialistëve, duke u ndalur te qëndrimet e ndryshuara dhe debatet për përjashtimet nga partia.
Në reagimin e saj, ajo përmend edhe momentet e duartrokitjeve, diskutimet për kamerat dhe lëvizjet e qëndrimeve lidhur me vendimmarrjen brenda PS-së.
Koçeku e ka shndërruar këtë situatë në një kritikë ndaj mënyrës se si po zhvillohen proceset brenda forcës politike në pushtet.
Ajo ngre pikëpyetje mbi kontradiktat e shfaqura gjatë mbledhjes dhe mënyrën se si po menaxhohen debatet e brendshme.
Në fund, deputetja e pavarur e ka drejtuar mesazhin e saj edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
“Dikush duartroket me zell, dikush hiç. Mandej hapet shfaqja, thotë ‘mbylli kamerat’, mandej ‘hapi kamerat’. Mandej thotë ‘ta përjashtojmë’, derisa dikush tjetër ‘ta rishqyrtojmë’”, shkruan Koçeku.
Më tej, ajo shtron pyetjen se si një parti që, sipas saj, nuk arrin të menaxhojë vetveten mund të drejtojë një shtet.
“Nji parti që s’di çka thotë dhe s’kontrollon dot veten e vet, si mundet me drejtu nji shtet? Sa ma parë dorëheqje, aq ma mirë”, përfundon reagimin e saj Koçeku.












