Aktualitet

E diela me shira dhe shtrëngata në disa zona!

Moti në vend sot pritet i paqëndrueshëm, me reshje shiu që do të përfshijnë gradualisht të gjithë territorin, ndërsa në disa zona parashikohen edhe shtrëngata afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), pjesa e parë e ditës karakterizohet nga kthjellime, ndërsa pas mesditës ka shtim të vranësirave, që do të bëhen mesatare deri të dendura.

Reshjet e shiut me intensitet të ulët nisin pas mesditës, fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe më pas të shtrihen gradualisht në pjesën tjetër të territorit.

Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, në zonat veriore, veriperëndimore, perëndimore dhe jugperëndimore, reshjet pritet të intensifikohen deri në nivel mesatar. Në këto zona nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra, shkarkesa elektrike dhe episode me reshje të rrëmbyeshme për periudha të shkurtra kohore.

Sa i përket erës, kryesisht fryn nga juglindja dhe jugperëndimi, me shpejtësi mesatare 8 m/s. Herë pas here, shpejtësia mund të arrijë deri në 15 m/s, sidomos përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore.

Në det, valëzimi parashikohet i forcës 2-4 ballë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.