Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa qytete të Kosovës gjatë datave 9–14 nëntor 2026.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rastet janë regjistruar në Prishtinë, Podujevë, Gjakovë dhe Malishevë, ndërsa në mesin e tyre ka pasur dhunë fizike, psikike, kanosje dhe raste të përsëritura të dhunës ndaj familjarëve.


Në Prishtinë, më 14 nëntor, është arrestuar një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj prindit të tij. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është raportuar në Podujevë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, katër fishekë dhe një thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Prishtinë është raportuar edhe një rast ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj, i cili, sipas raportimit, kishte lënë në rrugë pa përkujdesje edhe tre fëmijët e tyre të mitur.

Gruaja dhe fëmijët janë dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim të Policisë.

Rastet e dhunës në familje janë regjistruar edhe në Gjakovë. Më 14 nëntor, një grua ka raportuar se në vazhdimësi ishte përballur me dhunë fizike dhe psikike nga djali i saj. Ajo ka refuzuar strehimin, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Po në Gjakovë, një person është arrestuar nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj bashkëshortes, por pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Një tjetër rast është raportuar në këtë qytet, ku një grua dyshohet se është kanosur përmes telefonit nga personi me të cilin bashkëjeton. E dyshuara është arrestuar dhe më pas është liruar, ndërsa viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtës emergjent.

Gjithashtu, policia ka arrestuar edhe një person tjetër në Gjakovë, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në Malishevë është raportuar një rast i dhunës psikike, ku një grua dyshohet se është fyer dhe kanosur nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar në koordinim me prokuroritë përkatëse, ndërsa për disa prej tyre procedurat do të vazhdojnë në rrugë të rregullt./Telegrafi/