Pamje të pazakonta kanë dalë nga një operacion i autoriteteve hungareze, gjatë të cilit u zbuluan rreth 17.7 milionë euro para të gatshme, të fshehura në vende të ndryshme, përfshirë pyje, ndërtesa, depo fermash dhe banesa private. Paratë janë sekuestruar në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj ish-ministrit të Zhvillimit të Hungarisë, Miklos Sesztak.
Në pamjet e publikuara shihen autoritetet duke gërmuar me lopata në një pyll për të nxjerrë shumat e parave të groposura. Fotografi të tjera dokumentojnë momentet e sekuestrimit të sasive të mëdha të parave të gatshme, të cilat ishin shpërndarë në disa vendndodhje.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Mbrojtjes së Aseteve (NVVH), operacioni u zhvillua gjatë dy ditëve, të enjten dhe të premten. Në total, autoritetet sekuestruan 5,071,632,000 forinta hungareze, 2,658,350 euro dhe 1,257,100 dollarë. Vlera e përgjithshme e parave të gjetura arrin në rreth 17.7 milionë euro.
Një pjesë e shumës ishte groposur në pyje, ndërsa pjesa tjetër ishte fshehur në ndërtesa, depo fermash, banesa private dhe një kasafortë të sigurisë së lartë, e vendosur në një zonë të largët.
Hetimi lidhet me Miklos Sesztak, i cili drejtoi Ministrinë e Zhvillimit në periudhën 2014-2018, gjatë qeverisjes së Viktor Orbán. Ish-ministri akuzohet për marrje ryshfeti në lidhje me blerjen e autobusëve të përdorur nga kompania shtetërore e transportit, të cilët dyshohet se janë blerë me çmime të fryra. Sipas raportimeve, Sesztak është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, hetimet për korrupsionin gjatë qeverisjes së mëparshme nuk janë kufizuar vetëm te ish-ministri. Në çështje të tjera janë arrestuar edhe dy ish-ministra, si dhe vëllai i Viktor Orbán.
Kryeministri aktual i Hungarisë, Péter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e prillit duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Orbán, është zotuar të hetojë akuzat për korrupsion dhe abuzim me pushtetin gjatë administratës së mëparshme.
Pas sekuestrimit të parave, Magyar deklaroi se njoftimi i NVVH-së “shënon zyrtarisht fundin e mafias Fidesz-KDNP”, duke iu referuar dy partive të koalicionit të mëparshëm qeverisës.
Nga ana tjetër, Viktor Orbán nuk ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit. Në të kaluarën, ai i ka cilësuar hetimet ndaj personave të afërt me të si “persekutim politik”, me synimin për ta çuar atë në burg.

