“Hijet e Natës”, gjenden dhe sekuestrohen 3 makina të vjedhura në qarkun e Fierit, 1 person në pranga, 2 në kërkim
Gjatë fazës së parë të operacionit u zbardhën 5 raste të vjedhjes së automjeteve, u vu në pranga njëri prej autorëve dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se vidhnin automjete për t’i përdorur në ngjarje kriminale.
Në vijim të një pune intensive hetimore, të ndjekur pa ndërprerje dhe të shoqëruar me veprime të koordinuara operacionale, strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Hijet e Natës”.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe kontrolleve të ushtruara në terren, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i 3 automjeteve të vjedhura.
Nga hetimet rezulton se 2 prej automjeteve janë vjedhur më datë 13.11.2026, në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë më datë 13.09.2026, në Divjakë.
Automjetet u gjetën në zonën e Fushë-Mamurrasit, në Kurbin, dhe në Borizanë, Krujë, ku dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.
Gjatë veprimeve policore u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu sende të tjera me interes për hetimin, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjeve.
Strukturat e DVP Fier vijojnë intensivisht hetimet dhe veprimet operacionale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe kapjen e autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim.




