Një histori e pazakontë vjen nga Spanja, ku një shofer pretendon se ka kaluar për 16 vite me radhë nëpër pikat e pagesës së autostradës pa paguar asnjë cent.
Burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, jetonte në Pontevedra dhe udhëtonte çdo ditë drejt Vigos për të shkuar në punë, por tarifa e autostradës i merrte rreth 10% të pagës së tij.
Për të shmangur pagesën, ai kishte gjetur një mënyrë të veçantë: ndalonte në kabinë, deklaronte se nuk kishte para dhe kërkonte të vazhdonte rrugën, duke pretenduar se kishte të drejtën e kalimit. Kur punonjësit i kërkonin të firmoste një deklaratë për mospagesën, ai refuzonte ta bënte këtë dhe këmbëngulte që të lejohej të kalonte.
Ai e paraqiste këtë veprim si protestë ndaj tarifave të autostradës, duke pretenduar se kostoja e ndërtimit të saj ishte mbuluar prej kohësh nga pagesat e qytetarëve dhe se nuk kishte më arsye që kompania të vazhdonte ta administronte atë përmes koncesionit. Sipas rrëfimit të tij, kompania administruese e autostradës, AUDASA, nuk kishte ndërmarrë masa ndaj tij për tarifat e papaguara deri në vitin 2012, kur historia u bë publike.
Ndërkohë, rregullat në Spanjë janë të qarta: në autostradat me pagesë, drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të paguajnë tarifën, ndërsa mospagesa konsiderohet shkelje.
Në vitin 2026, kalimi për një automjet joluksoz në itinerarin Pontevedra–Vigo kushton 5.05 euro, pa llogaritur zbritjet e mundshme.
