Tjetër sulm hakerësh në Francë. Pas incidenteve që përfshinë frigoriferë dhe një bankë gjaku, këtë herë i erdhi radha La Poste-s. Maileva, degë e operatorit kombëtar postar pësoi sulm shtatorin e kaluar, duke çuar në vjedhjen e të dhënave të kontaktit të 22 milionë personave, fakt i konfirmuar nga vetë grupi.
Një nga shkeljet më të mëdha:
Maileva është platformë e specializuar në dërgimin e korrespondencës profesionale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (siç janë fletë-pagesat, letrat e regjistruara, faturat dhe njoftimet për mbledhjet e përgjithshme).
Ajo është një degë e Docaposte-s, pjesë e grupit La Poste. Kompania ka mbi 70,000 përdorues dhe në vitin 2024 përpunoi 180 milionë dokumente.
Pas sulmit, Maileva njoftoi Autoritetin Francez për Mbrojtjen e të Dhënave (CNIL) dhe paraqiti një ankesë zyrtare.
Ka një hetim, deklaroi La Poste, duke konfirmuar raportimet e publikuara nga faqja e internetit cyberattaque.org, që e përshkruan ngjarjen si “një nga shkeljet më të mëdha të të dhënave në Francë”.
Shënjestra të ndryshme publike:
Incidenti që çoi në ekspozimin e të dhënave të 22 milionë njerëzve është vetëm sulmi i fundit i hakerëve që godet La Poste-n. Vitin e kaluar, grupi pësoi një shkelje, për të cilën mori përgjegjësinë një grup pro-rus. Gjithçka vetëm pak ditë para Krishtlindjes.
Në përgjithësi, sulmet kibernetike ndaj kompanive dhe institucioneve publike janë në rritje. Javën e kaluar, “Crédit Mutuel Arkéa” njoftoi se ishte vënë në shënjestër të një sulmi hakerësh, me një ndikim ekonomik të vlerësuar në rreth 100 milionë euro.
Në fillim të vitit 2024, edhe “France Travail” u bë shënjestër e një shkeljeje në shkallë të gjerë, duke krijuar rrezikun e ekspozimit të të dhënave personale të 43 milionë njerëzve.