Tre persona, mes tyre edhe një 15-vjeçar, janë arrestuar pas akteve të dhunshme të regjistruara gjatë protestës së së shtunës në Tiranë. Ndërkohë, 18 persona të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa policia ka vendosur 44 masa administrative, dy prej të cilave në vlerën 500 mijë lekë të reja.
Sipas njoftimit të policisë, njëri prej të arrestuarve, 33 vjeç, dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Një tjetër, 23 vjeç, akuzohet se ka goditur një punonjës policie për shkak të detyrës, gjatë shoqërimit të tij në komisariat.
Personi i tretë i arrestuar është një i mitur 15-vjeçar. Ai dyshohet për veprat penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishjes së rendit dhe qetësisë publike, pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, shkatërrimit të pronës dhe mosbindjes ndaj urdhrave të punonjësve të rendit publik.
Përveç procedimeve penale, policia ka plotësuar 44 procesverbale për kundërvajtje administrative, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1. Dy prej gjobave janë në vlerën 500 mijë lekë të reja.
Policia bën me dije se, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

