Nga Irena Beqiraj/
Të dashur shokë dhe shoqe,
Të flasësh në këtë Asamble është një akt që kërkon njëfarë guximi. Jo se këtu nuk lejohet të flasësh, përkundrazi, liria e fjalës në këtë forum është e garantuar, për sa kohë që nuk rrezikon të shndërrohet në liri mendimi.
Siç e do zakoni, po e nis me një falënderim për Kryetarin, i cili sapo na dhuroi një tjetër fjalim nga fjalimet e tij të jashtëzakonshme, ku mendimet udhëtojnë gjatë dhe përfundimi, nëse ka një të tillë, mbetet gjithmonë një çështje interpretimi.
E dëgjova me vëmendjen e një socialisti të vërtetë fjalimin e tij. Duhet thënë se kryetari flet ca gjatë dhe, në këtë pikë, konkurron vetëm me gratë, të cilat, ndonëse të shumta në numër në parti e qeveri , rrallë kanë pasur rastin të lidhin shtatë fjalë në këto forume. Nejse, nuk dua të largohem nga tema. Kryetari na foli për Europën, për arritjet ekonomike, për protestën, për sfidat dhe për opozitën. Padyshim, ndaloi edhe tek produkti ynë i krenarisë, drejtësia. Për një çast, naivisht mendova se do të fliste edhe për krizën e rëndë brenda nesh të shkaktuar nga hetimet , por me sa duket nuk ishte në rendin e ditës.
Nga fytyrat tona është e dukshme se të marrësh pjesë në forumet e kësaj partie ndihet si një lloj vdekjeje. Ende nuk jam e sigurt nëse është më mirë të flasësh dhe të vdesësh, apo të vdesësh ngadalë, pa folur.
Këtu mes nesh ka njerëz që heshtin sepse nuk kanë çfarë të thonë. Ka të tjerë që kanë shumë për të thënë, por kanë mësuar të peshojnë çdo fjalë me kujdesin e atij që e di se një fjali mund të kushtojë më shumë se karrierën.
Ka edhe nga ata më të vjetrit, të cilët janë mësuar aq gjatë me faktin se nuk dëgjohen, saqë kanë pushuar së menduari. Por për fatin tonë të keq, ajo që nuk thuhet nuk zhduket. Ajo grumbullohet në heshtje, bëhet ankth, zhgënjim, hidhërim dhe, në fund, vetëshkatërrim.
Vetshkatërrim të cilit deri tani i kemi rezistuar pasi jemi transformuar në një parti që nuk kemi frikë nga e vërteta. Përkundrazi, kemi ndërtuar me të një marrëdhënie jashtëzakonisht të kujdesshme. E vërteta duhet thënë, por duhet zgjedhur koha, vendi dhe, mbi të gjitha, audienca.
Ne nuk kemi ngurruar kurrë t'ia themi të vërtetat njëri-tjetrit në tavolinat e drekave, në kafe dhe në takime mes miqsh. Aty jemi të gjithë trima. Ankohemi, mallkojmë, kritikojmë pa mëshirë edhe Kryetarin, fundja, prapa krahëve kritikohet edhe mbreti.
Por sapo dalim nga kafenetë dhe hyjmë në sallat e mbledhjeve, ndodh mrekullia, të gjitha mendimet e ndryshme bashkohen në një mendim të vetëm dhe e vërteta harrohet të plaket në paqe.
Apo, nëse publikisht na pyesin për korrupsionin, shpjegojmë se po e luftojmë atë. Nëse na pyesin për përgjegjësinë, i kujtojmë publikut se përgjegjësia është individuale. Nëse na pyesin për partinë, u themi se partia është më e madhe se individi.
E nëse ndonjë i djallëzuar na pyet përse disa individë janë bërë më të mëdhenj se partia dhe e kanë trajtuar shtetin si pronë private, duhet të tregohemi të matur, sepse nuk është ky momenti për të krijuar probleme.
Të dashur shokë dhe shoqe,
Dua të ndalem te një tjetër arritje, ndoshta më e rëndësishmja për t'u kremtuar pas 13 vitesh në pushtet, uniteti.
Ne kemi ndërtuar një parti ku uniteti është i përsosur, saqë nuk ka më nevojë për diskutime. Dikur, kur partia ishte, siç thotë Kryetari ynë, një bordello, diskutonim për ideologjinë, programin dhe drejtimin e vendit. Kishim mendime të ndryshme, debate, përplasje dhe ndonjëherë edhe ide. Ishte një kohë e vështirë, sepse askush nuk e dinte me siguri se çfarë duhej të mendonte.
Sot kemi kapërcyer atë fazë primitive të demokracisë së brendshme. Sot kemi kaluar nga pluralizmi i ideve te pluralizmi i mënyrave për të thënë të njëjtën gjë.Tani diskutojmë se si duhet ta interpretojmë me fjalët tona mendimin e Kryetarit.
Kjo është një arritje që nuk duhet nënvlerësuar. Kemi krijuar një sistem komunikimi par excellence: Kryetari flet, ne dëgjojmë; Kryetari vendos, ne mbështesim; Kryetari shpjegon pse kishte të drejtë, ne çuditemi se kush e ka vënë ndonjëherë këtë në diskutim. Kështu kemi shmangur shumë debate të panevojshme, kemi kursyer kohë dhe kemi rritur ndjeshëm efikasitetin e mbledhjeve tona.
Gjatë këtij përmirësimi, edhe duartrokitjet tona janë bërë më të sofistikuara. Nuk presim gjithmonë të kuptojmë çfarë u tha, mjafton të kuptojmë kur duhet të duartrokasim. Kjo është një aftësi që fitohet me përvojë dhe, për fat të mirë, në këtë parti ka shumë njerëz me përvojë.
Natyrisht, kemi edhe disa probleme të vogla por që nuk duhet t'i dramatizojmë.
Për shembull, në këtë parti karriera nuk është gjithmonë çështje meritash, shpesh është edhe çështje durimi, kujdesi dhe aftësie për të mos bërë pyetjet e gabuara në momentin e gabuar.
Në partinë tonë nuk mjafton të jesh i zoti, duhet të jesh edhe i përshtatshëm; nuk mjafton të kesh kontribute, duhet të kuptosh se kontributet e së kaluarës nuk të japin domosdoshmërisht të drejtën për të pasur një mendim në të tashmen.
Fundja, të gjithë ne e kemi pranuar se askush nuk është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për partinë, nëse nuk është më parë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për Kryetarin.
Kështu kemi ndërtuar një meritokraci të veçantë, ku merita më e madhe nuk është ajo që ke bërë për partinë, por ajo që Kryetari mendon se mund të bësh për të.
Ju shoh ca të lodhur, jo shumë entuziastë si nga hera, ndaj po e mbyll duke theksuar se nuk është rastësi që kjo Asamble u zhvillua në Gjirin e Lalzit. Deti është vendi ideal për të hedhur gjithçka që nuk dëshiron të mbash në breg. Por, si njeri i rritur buzë detit, dua t'ju kujtoj se deti ka një zakon të keq, herë pas here, i nxjerr në breg pikërisht ato gjëra që mendojmë se i kishte fundosur.
Faleminderit!
© SYRI.net