Dhjetëra mijëra pasagjerë janë akoma të bllokuar në aeroportet amerikane, pasi një defekt në sistemin e komunikimit të kontrollit ajror shkaktoi anulimin e mbi 15 mijë fluturimeve në vetëm dy ditë. Autoritetet amerikane po hetojnë nëse problemi është shkaktuar nga pajisje të reja të instaluara gjatë punimeve për modernizimin e sistemit.
Gjithçka nisi të premten, kur Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi pezullimin e nisjeve të avionëve në të gjithë SHBA-në për gati pesë orë. Ishte ndërprerja më e gjatë e këtij lloji që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.
Sipas të dhënave të FlightAware, të cituara nga Reuters, të premten u anuluan rreth 9 200 fluturime dhe u vonuan 7 500 të tjera. Situata vazhdoi edhe të shtunën, me mbi 6 400 fluturime të anuluara dhe më shumë se 8 000 vonesa. Deri të shtunën në mbrëmje ishin anuluar edhe 875 fluturime të planifikuara për të dielën.
Problemet prekën kompanitë më të mëdha ajrore amerikane. Delta Air Lines, United Airlines dhe American Airlines anuluan secila rreth një të katërtën e fluturimeve të së shtunës, ndërsa JetBlue anuloi pothuajse gjysmën.
Pasagjerëve të prekur iu dha mundësia të ndryshonin rezervimet pa paguar tarifa shtesë, ndërsa kompanitë po përpiqeshin të rikthenin avionët dhe ekuipazhet në vendet e duhura për të rifilluar fluturimet normale.
Por çfarë e shkaktoi gjithë këtë kaos?
Dyshimet janë përqendruar te disa pajisje të reja komunikimi, të instaluara nga kompania kontraktore L3Harris, e cila po zëvendëson linjat e vjetra prej bakri me fibra optike.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se pajisjet e reja kishin gjeneruar mbi 1 000 tentativa lidhjeje çdo katër deri në pesë sekonda, duke mbingarkuar sistemin dhe duke penguar komunikimin me avionët dhe transmetimin e të dhënave të radarëve.
Problemi preku 17 nga 22 qendrat që kontrollojnë trafikun ajror në SHBA.
“Po përpiqemi të përcaktojmë nëse kemi të bëjmë me një gabim njerëzor gjatë instalimit apo me një pajisje me defekt. Ende nuk e kemi përcaktuar shkakun”, deklaroi Duffy, sipas Reuters.
Situata bëri që Shtëpia e Bardhë të thërriste të premten një mbledhje emergjente, ndërsa autoritetet shqyrtuan fillimisht edhe mundësinë e një sulmi kibernetik.
Drejtori i FAA-së, Bryan Bedford, sqaroi se pezullimi i fluturimeve ishte vendosur për të parandaluar një ndërprerje të plotë të komunikimeve. Ai theksoi se asnjë qendër kontrolli nuk kishte dalë jashtë funksionit dhe kërkoi ndjesë për problemet e shkaktuara te udhëtarët.
Ndërkohë, defekti ka rikthyer vëmendjen te infrastruktura e vjetër e kontrollit ajror amerikan. Sipas Duffy-t, disa prej pajisjeve që po zëvendësoheshin ishin rreth 25 vjet të vjetra dhe duhej të ishin ndërruar që në vitin 2006.
Duffy ka kërkuar 50 miliardë dollarë fonde shtesë për modernizimin e sistemeve të kontrollit të trafikut ajror dhe aeroporteve, duke e rritur kërkesën e tij të mëparshme prej 30 miliardë dollarësh. Vitin e kaluar, Kongresi amerikan miratoi 12.5 miliardë dollarë për modernizimin.
Megjithatë, sipas dy kongresmenëve demokratë, Rick Larsen dhe Andre Carson, që nga miratimi i këtyre fondeve, Departamenti amerikan i Transportit ka lidhur kontrata me vlerë 4.3 miliardë dollarë, por deri tani ka shpenzuar vetëm 1 miliard dollarë.
Probleme të ngjashme janë regjistruar edhe më parë. Në vitin 2023, fshirja aksidentale e disa skedarëve nga një kontraktor shkaktoi pezullimin e fluturimeve për 90 minuta, duke prekur rreth 11 mijë fluturime.
Trafiku ajror në SHBA pritet t'i rikthehet kryesisht normalitetit deri të dielën në mbrëmje, ndërsa hetimet për shkakun e defektit vazhdojnë.






Komente
Komento