Përplasjet e vjetra politike brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë rikthyer në vëmendje pas deklaratave të ish-presidentes së Kosovës, tash deputete e kësaj partie, Vjosa Osmani. Kritikat e saj ndaj ish-udhëheqësve të LDK-së, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti, kanë nxitur reagime dhe kanë rikthyer në skenë tensionet që e shoqëruan largimin dhe më pas rikthimin e saj në këtë subjekt politik.
Në një intervistë për Kanal10, Osmani ka folur për qeverisjet e kaluara, zhvillimet brenda LDK-së dhe raportet me ish-bashkëpartiakët. Ajo ka kritikuar veçanërisht qeveritë e udhëhequra nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, duke thënë se edhe Qeveria Kurti duhet të nxjerrë mësime nga gabimet e paraardhësve.
“Le të përmirësohen, jo të bëhen kopje të këqija të Isës dhe Hashimit. Duhet të kenë më shumë ambicie. Edhe unë si presidente për dy vite është dashur të merrem me pasojat e dëmeve që i kanë bërë të tjerët përpara”, ka deklaruar Osmani.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa. I pyetur nga mediat për qëndrimet e Osmanit, Mustafa është përgjigjur shkurt: “Është dëm të merrem me të. Është katandisur keq”.
Edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas intervistës së Osmanit, ndonëse pa e përmendur atë drejtpërdrejt. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoti ka përdorur shprehjen “turizëm politik”, duke lënë të kuptohet se kritikat e tij lidhen me lëvizjet dhe qëndrimet politike të personave që ndryshojnë subjektet politike.
“Turizmi politik është aktivitet joetik në politikë. Koha po i sqaron të gjitha. Kur mbaron sezoni i turizmit politik, mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri në ofertën turistike politike të radhës. Matrapazët politikë edhe mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta. Sërish, koha po i nxjerr në dritë të gjitha të vërtetat”, ka shkruar Hoti.
Raportet e Osmanit me LDK-në kanë një histori të gjatë përplasjesh. Ajo ishte njëra ndër figurat e rëndësishme të këtij subjekti politik, por pas mospajtimeve me udhëheqjen e atëhershme, veçanërisht me Isa Mustafën, u largua nga partia dhe vazhdoi rrugëtimin politik përmes Listës Guxo. Pas përfundimit të mandatit presidencial, Osmani u rikthye në LDK, duke e cilësuar këtë vendim si mundësi për të kontribuar në partinë ku kishte nisur karrierën politike.
Megjithatë, rikthimi i saj nuk u prit pa kundërshtime. Në intervistën e fundit, Osmani ka treguar se disa persona i kishin kërkuar të kërkonte falje para se të rikthehej, por ajo kishte refuzuar.
“Ata thanë para se të kthehet kërko falje, dhe unë ju thashë jo, nuk kërkoj falje për asgjë. Sepse LDK-ja më ka lutur me u rikthy. Asgjë nuk i kam kërkuar LDK-së, as nuk i kam kërkuar pozicion partiak, as sot nuk i kërkoj asgjë. Jam kthyer me ndihmu”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka drejtuar kritika edhe ndaj disa deputetëve të LDK-së, të cilët kundërshtuan marrëveshjen ndërmjet kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e presidentit. Sipas saj, disa prej tyre po veprojnë në interes të ngushtë personal, duke dëmtuar subjektin politik.
“Natyrisht që SHIK-ut i pengon kjo. Po pse disa po veprojnë në interes të tyre brenda partisë është e tmerrshme, është e dëmshme”, ka thënë Osmani.
Një tjetër çështje ku ish-presidentja ka drejtuar akuza ndaj ish-bashkëpartiakëve është formimi i Qeverisë Hoti në vitin 2020, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti. Ajo ka pretenduar se votat e marra prej saj në zgjedhjet e atëhershme, kur ishte kandidate për kryeministre, ishin përdorur në mënyrë të padrejtë për krijimin e qeverisë së re.
“Ndoshta Hoti e kupton që fakti që i ka kontrabanduar votat që i kam marrë unë si kandidate për kryeministre dhe me vota të vjedhura dhe me vullnet të vjedhur të qytetarëve ka krijuar atëherë Qeveri, ka qenë gabim”, ka deklaruar ajo.