Historia e Partisë Socialiste është shoqëruar me largime dhe përjashtime që kanë përfshirë figura të rëndësishme, mes tyre ish-kryetarin Fatos Nano, deputetë dhe drejtues të lartë. Vendimet për largimin nga grupi parlamentar ose nga strukturat drejtuese janë marrë për arsye të ndryshme, shpesh në kushtet e përplasjeve politike dhe mosmarrëveshjeve brenda së majtës.
Në vitin 2007, Edi Rama, asokohe kryetar i PS-së, u bëri të ditur gazetarëve se Fatos Nano nuk ishte më pjesë e projektit politik të partisë. Po atë vit, gjashtë deputetë socialistë u përjashtuan nga Grupi Parlamentar i PS-së pasi votuan Bamir Topin për President të Republikës. Ata ishin Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta.
Të lidhura
None found
Kastriot Islami u përjashtua nga Grupi Parlamentar socialist në vitin 2011, pasi nuk respektoi qëndrimin politik të partisë. Kjo periudhë u karakterizua nga përplasje të forta brenda PS-së dhe nga Lëvizja për Mendim Ndryshe, ku bënin pjesë Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani dhe Marko Bello.
Në vitin 2015, nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u përjashtua Tom Doshi. Një vit më pas, në 2016, Koço Kokëdhima u shkarkua nga funksionet drejtuese në PS. Në vitin 2017, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u përjashtua si nga Grupi Parlamentar, ashtu edhe nga forumet e partisë.
Largimet vijuan në vitin 2021 me përjashtimin e Dritan Lelit nga Partia Socialiste. Ndërsa ditën e djeshme, nga forumet e partisë u vendos të përjashtoheshin edhe Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca.







