Kadare i mbivlerësuar, i shërbeu diktatorit”, Primo Shllaku: Populli shqiptar i uritur seksualisht Shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur Primo Shllaku ka folur për herë të parë për betejën e bashkëshortes së tij të ndjerë me sëmundjen e Alzheimer-it.
Në një intervistë për Se luan Topi, Shllaku foli fillimisht për njohjen dhe historinë e dashurisë me bashkëshorten.
“Ka qënë njeriu më i rëndësishëm i jetës sime dhe njeriu që më ka mbështet dhe më ka dal zot në gjithë jetën time.”-tha Shllaku duke treguar se familja e bashkëshortes nuk kishte qenë dakord për lidhjen e tyre.
Erjona: Sa vite zgjati martesa juaj?
Shllaku: 54 vjet njohje, martesë edhe patologji, sëmundje. Në 26 dhjetor mbushen 2 vite që u nda nga jeta.
Erjona: Pati një periudhë vuajtje, sa vjeçare?
Shllaku: Nja 4 vjet e gjysmë por gjithmonë në kreshendo, doktorët më thanë që do ta ndihmojnë, por ajo kishte pasur Alzheimer dhe ai nuk ka shërim.
Erjona: Keni thënë që u transformua si njeri, po ju si e keni përjetuar këtë transformim?
Shllaku: Unë një periudhë të gjatë kohe, spo doja me e besu që ajo u ba kështu. Refuzoja fort me e besu dhe kisha shpresa të mëdhaja që do ta nxjerri nga ajo humbëtirë ku kishte ra. Deri sa më thanë në Dyseldorf se ka një sëmundje që nuk shërohet. Ndejti 2 vjet e gjysmë në atë gjendje.
Erjona: Keni thënë që po të mund të flisja do ta pyesja: A je mirë atje?
Shllaku: Kjo ka lidhje me një ngjarje, kur filloi me u përkeqësu rrinte te dera e shtëpisë dhe ne e mbyllnim dhe kishim zhdukur çelësat. Më thoshte-më ler të dal se do iki në shtëpinë time. Po të gjente derën e hapur zhdukej, disa herë ma ka pru policia. Shkonte tek pikat e karburantit dhe i thoshte kam humbur shtëpinë, lajmëroni policinë. Pra fakti që ajo kërkonte me ik te shtëpia ime, unë nuk arrija me e kuptu. Në fakt duket e gjeti shtëpinë e vet dhe donte me shku me pushu.
Top Channel