Irani refuzon kategorikisht bisedimet bërthamore me SHBA-në: Nuk jemi aspak në atë fazë
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka deklaruar se Teherani nuk po zhvillon asnjë bisedim me Shtetet e Bashkuara mbi detajet e programit bërthamor dhe se nuk ka pranuar asnjë diskutim për pezullimin e përkohshëm ose uljen e niveleve të pasurimit të uraniumit.
I pyetur nëse Irani do të pranonte pezullimin e përkohshëm të pasurimit të uraniumit ose uljen e niveleve të pasurimit si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme me Uashingtonin, Baghaei u përgjigj qartë dhe kategorikisht.
“Jo, ne nuk jemi aspak në atë fazë tani. Gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur asnjë diskutim mbi detajet që lidhen me çështjen bërthamore”, ka theksuar ai.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur dy vendet vazhdojnë komunikime indirekte përmes ndërmjetësuesve, por sipas Teheranit këto kontakte janë të kufizuara dhe nuk prekin ende thelbin e programit bërthamor.
Sipas pozicionit zyrtar iranian, fokusimi aktual i bisedimeve të ndërmjetësuara mbetet ndërprerja e armiqësive në të gjitha frontet, heqja e bllokadës detare amerikane dhe situata në Ngushticën e Hormuzit. Baghaei dhe zyrtarë të tjerë iranianë kanë theksuar më herët se çështjet bërthamore mund të diskutohen vetëm pasi të arrihet një marrëveshje që siguron interesat dhe shqetësimet e Iranit për sa i përket mbarimit të konfliktit.
Në deklarata të fundit, Baghaei ka theksuar gjithashtu se transferimi i uraniumit të pasuruar jashtë vendit “nuk është aspak në tavolinë” dhe se nuk ka asnjë arsye që Irani të pranojë një gjë të tillë. Ai ka kritikuuar SHBA-në për ndryshimin e vazhdueshëm të pozicioneve gjatë negociatave dhe për kërcënimet e përsëritura ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Komunikimet midis Teheranit dhe Uashingtonit vazhdojnë në mënyrë indirekte përmes ndërmjetësuesve (përfshirë Pakistanin dhe Katarin), me mesazhe që shkëmbehen në takime dhe telefonata. Irani ka shkurtuar afatin e propozuar për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nga shtatë ditë në dy ditë, duke e paraqitur këtë si shenjë të vullnetit të mirë.
Megjithatë, zyrtarët iranianë këmbëngulin se nuk ka ende bisedime konkrete mbi detajet e programit bërthamor, përfshirë nivelet e pasurimit. Irani vazhdon të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në disa objekte, si centrali i Bushehr-it, por ka refuzuar inspektimet e objekteve të dëmtuara gjatë sulmeve, duke argumentuar se mungojnë protokolle të qarta dhe se kërcënimet e vazhdueshme amerikane e bëjnë të pajustifikuar një gjë të tillë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



