Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, akuzoi sot qeverinë Rama për mungesë mbështetjeje ndaj fermerëve dhe keqadministrim të fondeve europiane. Përmes një deklarate për mediat, ajo prezantoi edhe propozimet e PL për financimin e bujqësisë dhe zhvillimin e zonave rurale.

Deklarata e plotë 

"Bujqësia shqiptare po përballet me një krizë të thellë, si pasojë e mungesës së financimit, politikave të gabuara dhe braktisjes nga qeveria. Një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare është lënë në mëshirë të fatit, ndërsa fermerët përballen çdo ditë me kosto të larta prodhimi, mungesë subvencionesh, vështirësi në tregtimin e produkteve dhe konkurrencë të pandershme nga importet.

Është e papranueshme që një sektor me kaq shumë rëndësi për ekonominë dhe punësimin të marrë një mbështetje financiare krejtësisht të pamjaftueshme. Qeveria Rama ka zgjedhur propagandën në vend të investimeve, premtimet në vend të mbështetjes konkrete dhe indiferencën në vend të politikave që garantojnë mbijetesën e fermerëve.

Dështimi bëhet edhe më i rëndë me bllokimin e fondeve IPARD. Keqadministrimi, problematikat e konstatuara dhe abuzimet me fondet europiane kanë cenuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe kanë privuar fermerët shqiptarë nga mundësi jetike financimi. Bëhet fjalë për miliona euro që duhej të shkonin për modernizimin e fermave, teknologjinë, rritjen e prodhimit dhe konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare.

Ndërkohë, fshati po zbrazet, blegtoria po tkurret dhe të rinjtë po largohen, sepse nuk shohin asnjë perspektivë për të jetuar nga puna në bujqësi. Një vend që nuk mbështet fermerin vendas, dënon prodhimin e vet dhe bëhet gjithnjë e më i varur nga importet.

Partia e Lirisë e konsideron bujqësinë një shtyllë strategjike të ekonomisë kombëtare dhe propozon një model tërësisht të ndryshëm mbështetjeje.

Programi i PL, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, e vendos bujqësinë në qendër të vëmendjes dhe  mbështetet në disa prioritete kryesore:

- Rritje të financimit dhe subvencioneve direkte për fermerët dhe blegtorët.
- Ulje të kostove të prodhimit, përmes mbështetjes për naftën dhe inputet bujqësore.
- Investime në ujitje, kullim dhe infrastrukturë rurale.
- Kredi të buta dhe grante për modernizimin e fermave dhe përpunimin e produkteve.
- Mbështetje të veçantë për fermerët e rinj dhe zhvillimin e blegtorisë.
- Transparencë në administrimin e fondeve dhe zhbllokimin e financimeve IPARD.

Për Partinë e Lirisë, bujqësia nuk është një sektor që duhet mbajtur në mbijetesë me lëmosha sezonale, por një motor i zhvillimit ekonomik, i punësimit dhe i sigurisë ushqimore.

Shqipëria nuk mund të ketë ekonomi të fortë me fshat të braktisur, nuk mund të ketë siguri ushqimore pa fermerë të mbështetur dhe nuk mund të pretendojë integrim europian duke humbur besimin dhe financimet e partnerëve europianë.