“Europianët e kuptojnë se treni po niset dhe duan të përpiqen të hipin në shkallët e vagonit të fundit”. Me këto fjalë, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka komentuar dëshirën e Bashkimit Europian për t'u përfshirë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në një deklaratë të raportuar nga agjencia ruse Tass, Lavrov tha se qëndrimi i Moskës në negociata do të përcaktohet nga objektivat e asaj që Kremlini e quan “operacioni special ushtarak”.
Sipas tij, këto objektiva janë vendosur nga presidenti Vladimir Putin në qershor të vitit 2024 dhe nuk kanë ndryshuar që atëherë.
Deklaratat e Lavrovit vijnë ndërsa Rusia dhe Ukraina kanw kaluar një tjetër natë sulmesh me qindra dronë. Moska pretendon se ka rrëzuar 533 dronë ukrainas gjatë natës, në një sërë rajonesh të vendit.
Sulmet u raportuan në disa rajone ruse, mes tyre Belgorod, Briansk, Kursk, Rostov dhe Krasnodar, si dhe në Krime. Dronë u kapën gjithashtu mbi Detin e Zi dhe Detin Azov. Nga ana tjetër, Ukraina njoftoi se ishte sulmuar me 132 dronë rusë, prej të cilëve 106 u rrëzuan ose u neutralizuan nga mbrojtja ajrore.
Sipas Forcave Ajrore ukrainase, mes dronëve të përdorur nga Rusia ishin 78 Shahed me motor reaktiv, ndërsa goditje u regjistruan në 20 zona të vendit.
Një prej qyteteve të goditura ishte Çornomorsku, në rajonin e Odesës, ku gjashtë persona mbetën të plagosur.






Komente
Komento