Orijol Rukaj, 47 vjeç, shqiptari që u arratis nga burgu gjatë funeralit të të vëllait në Melburn, është arrestuar pas gati shtatë muajsh në arrati. Ai u kap të premten në Queensland, ndërsa autoritetet australiane pritet ta marrin në pyetje në ditët në vijim dhe të kërkojnë ekstradimin e tij drejt shtetit të Victoria-s.
Rukaj ndodhej në paraburgim në burgun Marngoneet, pranë Geelong-ut, kur më 25 prill u shoqërua nga autoritetet në varrezat Keilor për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të vëllait të tij. Edhe pse kishte pranga në duar dhe po ndihmonte në mbajtjen e arkivolit, 47-vjeçari arriti të largohej gjatë funeralit.
Sipas policisë, në ceremoninë mortore merrnin pjesë rreth 300 persona. Pas arratisjes, Rukaj qëndroi në kërkim për gati shtatë muaj, deri në arrestimin e tij të premten në Queensland.

