Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj, siç i ka cilësuar ajo, përpjekjeve të koordinuara për denigrimin e figurës dhe rolit historik të ish-presidentit Ibrahim Rugova në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Osmani ka theksuar se kontributi i Rugovës nuk mund të kufizohet vetëm deri në vitin 1994, duke i cilësuar pretendimet e tilla si përpjekje për falsifikimin e historisë.


“Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës. As vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit tonë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka vlerësuar se Rugova ka dhënë kontribut të rëndësishëm në organizimin e rezistencës politike, ndërtimin e institucioneve paralele, ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe përfaqësimin institucional të vendit pas luftës.

“Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Osmani ka përmendur edhe takimet e saj me liderë botërorë gjatë pesë viteve të mandatit, duke thënë se në këto takime është vlerësuar vazhdimisht kontributi i Rugovës në ndërtimin e shtetit dhe të aleancave ndërkombëtare të Kosovës.

Ajo ka reaguar edhe ndaj pretendimeve për lidhje të Rugovës me regjimin e Slobodan Millosheviqit, duke i cilësuar ato si shpifje.

“Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi i Millosheviqit dhe u rrëmbye dhunshëm nga ai regjim, siç dëshmohet edhe nga dëshmitarët ndërkombëtarë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka kundërshtuar gjithashtu atë që e ka quajtur fushatë denigruese ndaj familjes Rugova, duke përmendur në veçanti bashkëshorten e ish-presidentit, Fanë Rugova.

Në fund të reagimit të saj, Osmani ka ritheksuar se figura e Ibrahim Rugovës zë një vend të veçantë në historinë e Kosovës.

“Po ua përsëris: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË ATI THEMELTAR I REPUBLIKËS SONË! Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë”, ka përfunduar Osmani. /Telegrafi/