Kontratat paramartesore po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në diskutimet mbi martesën dhe divorcin, edhe pse në praktikë mbeten pak të përdorura. Ato u japin partnerëve mundësinë të përcaktojnë paraprakisht regjimin pasuror, duke shmangur mosmarrëveshjet në rast divorci apo në marrëdhëniet financiare me palë të treta. Medina Papoj, Eksperte sociale “Kontrata paramartesore nuk prek vetëm aspektin ekonomik e juridic, por dhe atë emocional e social. Ajo përcakton mënyrën se si do të bëhet administrimi dhe ndarja pasurore dhe ndonjëherë shihet si formë mosbesimi mes palëve, por kur kontrata ndërtohet mbi transparencën, vetëbesimin dhe vullnetin e lirë të dy partnerëve ajo është një përgjegjësi e përbashkët.” Për këtë çështje, qytetarët kanë qëndrime të ndryshme. Disa e kundërshtojnë dhe e shohin si shenjë mosbesimi, madje refuzojnë të flasin për të, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një garanci për mbrojtjen e interesave të të dy bashkëshortëve. Pavarësisht se rastet e lidhjes së kontratave paramartesore nuk mungojnë, përdorimi i këtij instrumenti ligjor në Durrës mbetet i kufizuar.