Ndërsa në Tiranë është ndezur një debat i gjatë tashmë mbi mundësinë e financimeve të protestave në bulevard nga duart e huaja, një ngjarje thuajse e parëndësishme u shënua javën që shkoi në një fshat të vogël të kontesë Oakland, në Kaliforni. Antropologia amerikane Frederica Bunge ka ndërruar jetë.

Bunge është një personazh i panjohur për publikun shqiptar, por i njohur në qarqet e ngushta që janë marrë me zhvillimet politike në Europën Juglindore. Për dekada me radhë, ajo punoi dhe më vonë drejtoi një prej institucioneve të rëndësishme amerikane të angazhuara në studime dhe planifikime ushtarake.

Është gati e pamundur të gjesh informacion të mjaftueshëm se kush ishte antropologia amerikane e cila, në vitin 1999, pa ndonjë arsye të dukshme, themeloi "Balkan Youth Leadership Network", të njohur si BYL. Po në atë kohë, ajo u përfshi gjithashtu në proceset që çuan në krijimin e organizatës rinore shqiptare të quajtur "MJAFT". Për vite me radhë, BYL u bë pjesë e një procesi më të gjerë të përfshirjes së të rinjve në lëvizjet e ndryshimit politik në Ballkan, nga Bosnja, Serbia, më vonë Ukraina e deri në Shqipëri.

Por çfarë e lidhte këtë eksperte të vendeve ish-komuniste me Tiranën dhe me krijimin e MJAFT-it, rrjetit të të rinjve që u shfaq në skenën publike shqiptare me protesta kundër qeverisjes së Fatos Nanos dhe Partisë Socialiste?

Në emër të kujt antropologia Bunge rekrutoi, financoi dhe trajnoi të rinjtë shqiptarë? Kush i propozoi dhe i përzgjodhi këta të rinj për t'u bërë pjesë e këtij rrjeti? Çfarë marrëdhëniesh kishin me organizatat dhe institucionet amerikane të kohës organizatat që futeshin nën ombrellën e BYL dhe vetë "MJAFT"?

Dhe më tej, çfarë roli luajti Edi Rama, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Tiranës, në afrimin dhe përdorimin politik të energjisë së MJAFT-it në betejën kundër Fatos Nanos? A pati një lidhje ndërmjet kësaj mbështetjeje të lëvizjes rinore të themeluar nga Bunge në dobësimin e lidershipit të vjetër socialist dhe humbjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2005?

Dhe sigurisht, pyetja më thelbësore, nëse e dinte kryetari i ardhshëm i Partisë Socialiste se "MJAFT" ishte një organizatë e themeluar nga të huaj, të cilët po e financonin për të rrëzuar nga pushteti kryetarin e Partisë Socialiste në pushtet?

Një kapitull "MJAFT" interesant, por ende pak i studiuar, i historisë së tranzicionit politik shqiptar. Një histori që nuk përfundon me daljen në skenë të MJAFT-it, ku disa prej emrave që u formuan ose u afirmuan në këtë mjedis arritën më vonë në pozicione të rëndësishme drejtuese brenda Partisë Socialiste dhe institucioneve shqiptare.

Duke qenë se Frederica Bunge ishte themeluese e një rrjeti me shtrirje rajonale në Ballkan dhe e lidhur me proceset që sollën në skenën shqiptare MJAFT-in, ia vlen një vështrim më i thellë mbi rolin e saj, kontaktet dhe mënyrën se si funksiononte ky rrjet. Veçanërisht mbi personat që ajo ndihmoi të afroheshin me këto struktura dhe që më vonë u shfaqën në drejtimin politik shqiptar.

Përtej historisë së BYL-it dhe MJAFT-it, kjo çështje prek një temë shumë më të gjerë dhe të përsëritur në historinë shqiptare, marrëdhënien ndërmjet elitave tona politike dhe ndikimit të fuqive të huaja.

Që nga krijimi i shtetit shqiptar më 1912, historia jonë politike është shoqëruar vazhdimisht nga ndërhyrje dhe interesa të jashtme. Në periudha të ndryshme kritike për vendin, fuqitë e huaja kanë ndikuar në përzgjedhjen, mbështetjen dhe konsolidimin e figurave politike shqiptare.

A ishte edhe krijimi i këtyre rrjeteve rinore pjesë e një gjeostrategjie më të gjerë amerikane për formësimin e elitave të reja politike në Ballkan?

Përgjigjet nuk mund të gjenden në hamendësime. Ato duhen kërkuar në dokumente, arkiva dhe dëshmi të njerëzve që morën pjesë në këto procese.

Gjithsesi, kur në kulmin e debateve në Tiranë, ku protagonistë janë disa prej të zgjedhurve të antropologes amerikane, Frederica Bunge iku duke lënë pas shumë enigma për vendin e vogël ballkanik dhe të ardhmen e elitës së re politike të saj.

"“Mjaft” duket se është një version më i moderuar i lëvizjes së njohur rinore serbe “Otpor”, e cila përdori fillimisht sloganin “Gotov je” (“Ai ka marrë fund”) në fushatën për dorëheqjen e Slobodan Millosheviçit dhe grushtin e zi të shtrënguar si simbol të saj, duke frymëzuar të rinjtë në të gjithë Europën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik. “Kmara”, lëvizja rinore në Gjeorgji, e cila mori pjesë aktive në fushatën për largimin e Shevardnadzes, përdori gjithashtu versionet në gjuhën gjeorgjiane të sloganeve “Atij i erdhi fundi” dhe “Mjaft”. Ndërkohë, lëvizja rinore bjelloruse “Zubr” (“Bizoni”) mbushi Bjellorusinë me pankarta dhe grafite me mbishkrimin “Ai ka marrë fund”, duke iu referuar presidentit autoritar Aleksandër Lukashenko"

Reports Archive (Un)Civil Societies Report: March 1, 2004 March 01, 2004 01:00 CET Radio Free Europe