Një jurist i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është marrë i pandehur për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka fshirë në mënyrë të paligjshme një shënim kufizues nga regjistri i një prone prej 3,250 metrash katrorë në zonën e Selitës. Sipas Prokurorisë, ndërhyrja ka cenuar interesat e një kompanie ndërtimi, me të cilën pronarët kishin lidhur më herët një kontratë sipërmarrjeje.
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim zyrtarin me inicialet A.B., i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Çështja nisi pas kallëzimit të administratores së kompanisë së parë të ndërtimit, e cila pretendoi se juristi kishte ndërhyrë në kartelën e pasurisë, duke hequr shënimin që mbronte interesat e shoqërisë mbi pronën.
Nga hetimet rezultoi se pronarët e tokës kishin lidhur një marrëveshje me kompaninë për zhvillimin e saj. Për të garantuar zbatimin e kësaj marrëdhënieje kontraktore, në regjistrin kadastral ishte vendosur një shënim kufizues, që pengonte kryerjen e veprimeve të cilat mund të cenonin të drejtat e palëve.
Më vonë, pronarët iu drejtuan Kadastrës me kërkesën për heqjen e kufizimit, duke pretenduar se kompania nuk kishte përmbushur detyrimet për zhvillimin e pronës. Në mbështetje të kërkesës, ata paraqitën edhe një njoftim noterial për ndërprerjen e kontratës, pasi ndërkohë kishin lidhur një marrëveshje të re me një tjetër kompani ndërtimi.
Shqyrtimi i kërkesës iu caktua përmes shortit elektronik juristit A.B. Megjithatë, sipas Prokurorisë, dokumentacioni i paraqitur duhej të kishte çuar në një përfundim tjetër, pasi kontrata fillestare parashikonte që punimet të përfundonin brenda tre vitesh nga momenti i pajisjes me leje ndërtimi dhe jo nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.
Për këtë arsye, organi i akuzës vlerëson se pretendimi i pronarëve për mospërmbushjen e detyrimeve nga kompania nuk përbënte arsye të mjaftueshme për ndërprerjen e kontratës dhe heqjen e shënimit kufizues.
Sipas Prokurorisë, veprimi i juristit ka cenuar interesat e kompanisë së parë të ndërtimit dhe ka krijuar mundësinë që e njëjta pronë të përfshihej në një marrëdhënie të re sipërmarrjeje me një subjekt tjetër.
Pas përfundimit të hetimeve paraprake, zyrtari është dërguar në gjyq, ku do të përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

