Në luftë me kancerin e gjirit, infermierja rrëfen betejën e vështirë me sëmundjen
Për 33 vite me radhë, Marjeta Çoçka, 55 vjeçe, kishte veshur bluzën e bardhë për t’u ardhur në ndihmë dhjetëra pacientëve në spitalin e Elbasanit. Kishte qenë ajo që u jepte kurajë, që kujdesej për të sëmurët dhe që u fliste për rëndësinë e shëndetit. Por këtë herë, jeta i rezervoi një sfidë të vështirë. Infermierja me 33 vite përvojë do të përballej vetë me një semundje të rëndë, kancerin e gjirit.
“Jam Marjeta, infermiere prej 33-vitesh ne kardiologjinë e Elbasanit. Për mua është viti 2026, sidomos muaj qershor një sfidë e madhe . Isha në plazh me familjen dhe pashë që diçka nuk funksiononte në trupin tim. Pikërisht në gjoks më ishte krijuar një grop. Dhe aty për momentin nuk i thashë familjes fare, prita që të ktheheshim nga plazhi dhe në datë 2-korrik i tregoj kryeinferimeres si ishte historinë, ajo direkt më çoj tek pavioni i onkologjisë dhe për 2 orë mbarova të gjitha ekzaminimet. Në datën 10 gusht unë jam operuar”, tha Marjeta Çoçka, inferimiere
Përtej përballjes me sëmundjen, momenti më i vështirë për të ishte t’u tregonte lajmin bashkëshortit dhe djalit të saj të vetëm. Me lot në sy, ajo kujton emocionet dhe frikën që përjetoi familja pas diagnostikimit.
“Ishte një sfidë shumë e madhe për mua, unë kam një djalë vetëm. Si do ja thoja familjarëve, ishte gjëja me e vështirë dhe për këtë kam derdhur shumë lot. Vajta në shtëpi bëra drekën dhe mbase mbaruam bukën ju thashë uluni pak sepse do t’ju them një lajm. Im shoq u bë më i fort kurse im bir e përjetoj jashtë mase”, shtoi Çoçka.
Edhe pse prej 33 vitesh punonte në sistemin shëndetësor dhe këshillonte pacientët për rëndësinë e kontrolleve, Marjeta pranon se vetë nuk kishte kryer asnjëherë mamografi apo eko të gjirit.
“Ja rekomandoja të gjithave grave që të bënin mamografi ndërsa për veten time 33 vite punë dhe nuk kam bërë një analizë, as mamografi, as eko, dhe ky është gabimi më i madh që unë në momentin që u diagnostikova me këtë sëmundje kam bërë shumë fushata. Ne duhet të shkojmë me vrap tek mjeku që ti bëjmë këto kontrolle rutinë”, tha infermierja.
Historia e Marjetës nuk është vetëm rrëfimi i një gruaje që u përball me kancerin e gjirit. Është një thirrje për çdo grua që, mes punës, familjes dhe përkujdesjes për të tjerët, harron veten. Sepse edhe ata që kujdesen çdo ditë për shëndetin e të tjerëve nuk duhet të neglizhojnë shëndetin e tyre.




