
Profesoresha nga Kosova, Venera Berisha-Muharremi, është ftuar si folëse e ftuar në Konferencën Ndërkombëtare ProMediCon 2027, e cila do të mbahet në Universitetin e Kyotos në Japoni, në prill të vitit të ardhshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Berisha-Muharremi përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur mirënjohjen për ftesën dhe privilegjin që të jetë pjesë e kësaj konference ndërkombëtare.
Ajo ka bërë të ditur se në të njëjtën konferencë do të marrin pjesë edhe shkencëtarë të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë laureatët e Çmimit Nobel, profesorët Aaron Ciechanover dhe Susumu Kitagawa, si dhe profesorin Trevor Robbins nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar.
Berisha-Muharremi ka falënderuar profesorët Ganesh Pandian Namasivayam dhe K. S. Rangappa për ftesën dhe vlerësimin e punës së saj shkencore e kërkimore.
Ajo ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë që ftohet si folëse në një konferencë në Japoni.
Në Kyoto, profesoresha nga Kosova pritet të prezantojë rezultatet e hulumtimeve të saj në fushën e fotobiomodulimit të tiroidës, si dhe të përfaqësojë Kosovën dhe Universitetin e Prishtinës.
Konferenca ProMediCon 2027 do të mbahet në prill të vitit 2027 në Universitetin e Kyotos.


