Jeta kulturore në Shkodër pasurohet më tej gjatë nëntorit me festivalin e humorit “Tano Fest”. Teatri “Migjeni” startoi këtë aktivitet me komedinë “10 vjet martesë”, interpretuar nga Gentian Zenelaj dhe Andia Xhunga.

Një moment i veçantë u regjistrua gjatë shfaqjes, kur u ndërpre energjia elektrike. Megjithatë, aktorët vijuan interpretimin, ndërsa publiku ndriçoi skenën me dritat e celularëve.

Në përfundim, Gentian Zenelaj u shpreh se “10 vjet martesë” është një nga komeditë më të suksesshme, e cila u shfaq për herë të 66-të. Ai foli edhe për ndryshimet që ka pësuar zhanri i komedisë ndër vite.

Aktorja dhe regjisorja Andia Xhunga vlerësoi pritjen e publikut shkodran, duke u shprehur se të interpretosh në Shkodër është si të jesh në provim, teksa vlerësoi mbështetjen që marrin gjithnjë nga artdashësit shkodranë.

Festivali “Tano Fest” do të vijojë deri më 21 nëntor me tetë shfaqje humori në Teatrin “Migjeni”. Aktiviteti zhvillohet në prag të 100-vjetorit të lindjes së aktorit të njohur shkodran Tano Banushi.