Prodhimi i ullirit këtë vit në zonën e Roskovecit paraqitet i mbarë, ndërsa cilësia e vajit të prodhuar vlerësohet shumë e mirë. Megjithatë, fermerët dhe prodhuesit e vajit të ullirit po përballen me një problem serioz: mungesën e tregut dhe rënien e ndjeshme të çmimit.
Sipas tyre, në fillim të sezonit të përpunimit, një litër vaj ulliri shitej me rreth 6 500 lekë të vjetra, ndërsa aktualisht çmimi ka zbritur në 4 500, madje edhe në 4 000 lekë të vjetra për litër. Një situatë kjo që, sipas fermerëve, i çon drejt humbjeve, pasi kostot e mirëmbajtjes së ullishteve, punimeve dhe përpunimit janë të larta.
Fermerët shprehen se, pavarësisht një viti të mbarë për prodhimin dhe cilësisë së mirë të vajit, mungesa e një tregu të qëndrueshëm po i penalizon ekonomikisht. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit përmes subvencionimit të plehrave kimike dhe punimeve të ndryshme në ullishte, si dhe krijimin e mundësive për shitjen e prodhimit.
Një tjetër kërkesë e tyre është ngritja e pikave të grumbullimit të vajit të ullirit, të cilat do të ndihmonin në sistemimin e tregut dhe shmangien e shitjes me çmime të ulëta.
Sipas prodhuesve, çmimi minimal që do t'u mundësonte të përballonin shpenzimet dhe të siguronin edhe fitim duhet të ishte të paktën 6 500 lekë të vjetra për litër.
“Prodhimi është i mirë, cilësia është shumë e mirë, por nuk kemi treg. Me këto çmime po dalim me humbje. Nëse do të kishte subvencione dhe pika grumbullimi, do të na mbetej diçka edhe neve si fermerë”, shprehen ata.
Pavarësisht një sezoni të mbarë në prodhim, fermerët e Roskovecit thonë se pa mbështetje, pa pika grumbullimi dhe pa një treg të garantuar, puna në ullishte po bëhet gjithnjë e më pak fitimprurëse.
© SYRI.net