Një gjykatëse federale në SHBA ka bllokuar sërish planin e presidentit Donald Trump për transformimin e East Potomac Park në Uashington në një fushë golfi të nivelit të kampionatit.
Vendimi i marrë të shtunën parashikon që parku publik buzë lumit të qëndrojë i hapur, në vend që të mbyllet për punimet e kërkuara nga administrata Trump.
Në një vendim prej 30 faqesh, gjykatësja federale Ana Reyes ndaloi përkohësisht qeverinë të vijojë me planin për mbylljen e zonës, e cila ishte parashikuar të niste të dielën, përcjell Reuters.
Më 18 tetor, Trump kishte deklaruar në një postim në rrjetet sociale se mbyllja do të zgjaste 15 muaj dhe se parku do të shndërrohej në “një nga fushat më të mira dhe më spektakolare të golfit kudo në botë”.
Në vendimin e saj, Reyes vlerësoi se arsyet e paraqitura nga administrata Trump për mbylljen e parkut ishin “pretekstuale” dhe se qeveria kishte shkelur të paktën dy ligje federale për të përmbushur një afat të përcaktuar në mënyrë arbitrare.
“Qeveria propozon të mbyllë për një kohë të pacaktuar një park historik, të cilin banorët e Uashingtonit, pa dallim, e frekuentojnë çdo ditë”, shkroi gjykatësja.
Parku ndodhet pranë Memorialit të Jeffersonit, rreth 3 kilometra në jug të Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, vendimi nuk e detyron administratën Trump të vazhdojë aktivitetin e fushave të golfit në këtë zonë. Gjykatësja theksoi se qeveria nuk mund ta përdorë mungesën e aktivitetit të golfit si arsye për të ndaluar hyrjen e publikut në park.
Përplasja ligjore për parkun
Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga DC Preservation League, një organizatë që merret me mbrojtjen e trashëgimisë historike. Organizata pretendon se plani i Trump për rizhvillimin e parkut shkel disa rregullore dhe ligje federale.
Avokatët e saj kishin siguruar më herët një vendim nga e njëjta gjykatëse, që ndalonte Shërbimin e Parqeve Kombëtare, pjesë e Departamentit të Brendshëm, të priste pemët në park apo të kryente ndryshime të tjera të pakthyeshme pa njoftim paraprak.
Organizata Democracy Forward, e cila përfaqëson DC Preservation League dhe dy banorë të zonës në këtë çështje, deklaroi se ishte mirënjohëse që gjykatësja ndaloi “një tjetër projekt të presidentit për lavdinë e tij personale”.
Këshilltarja e lartë ligjore e organizatës, Catherine Carroll, u shpreh se përpjekja e administratës për të shkatërruar East Potomac Park do t’u hiqte banorëve një hapësirë të çmuar publike, e cila nuk mund të zëvendësohej kurrë.
Departamenti i Brendshëm, Departamenti i Drejtësisë dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Përplasje mes gjykatëses dhe Departamentit të Drejtësisë
Çështja gjyqësore është shoqëruar me disa përplasje të ashpra mes gjykatëses Reyes dhe avokatëve të Departamentit të Drejtësisë.
Muajin e kaluar, gjykatësja deklaroi se heqja e qindra pemëve nga fusha e golfit dhe mosnjoftimi i organizatës për këtë ndërhyrje “i ka kushtuar qeverisë të gjithë besueshmërinë e saj” në këtë proces.
Reyes ka urdhëruar gjithashtu një hetim etik për të shqyrtuar nëse avokatët e qeverisë e kanë çorientuar vazhdimisht lidhur me afatet e mbylljes së parkut.
Nga ana tjetër, Departamenti i Drejtësisë e ka akuzuar gjykatësen se ka tejkaluar kompetencat e saj dhe se ka nënçmuar në mënyrë të papërshtatshme avokatët e qeverisë. Ai kërkoi që Reyes të tërhiqej nga çështja, por kërkesa u rrëzua nga vetë gjykatësja.
Reyes është emëruar në këtë detyrë nga ish-presidenti demokrat Joe Biden. Trump e ka cilësuar atë si “të çmendur”.
Plani i Trump për fushën e golfit
Presidenti amerikan, i cili zotëron fusha golfi në vende të ndryshme të botës, e ka përfshirë projektin e East Potomac Park në ambicien e tij për të lënë një trashëgimi arkitekturore në kryeqytetin amerikan.
Aktualisht, parku ka tri fusha golfi me gjithsej 36 gropa, një fushë mini-golfi dhe një shteg të asfaltuar që përdoret nga çiklistët dhe vrapuesit.
Projekti i propozuar synon t’i zëvendësojë këto hapësira me një fushë të vetme golfi me 18 gropa, të projektuar sipas standardeve të kampionateve. Trump ka deklaruar se aty mund të zhvillohen evente të nivelit botëror, si US Open dhe Ryder Cup, ndërsa fusha do të mbetet e hapur për publikun.
Vendimi i fundit përbën një tjetër pengesë ligjore për planin e presidentit amerikan për të ndryshuar pamjen e kryeqytetit përmes projekteve të mëdha ndërtimore.