3 ditë para Festës së Mandarinës, kryebashkiaku i Konispolit thërret fermerët për të diskutuar problemet e shitjes
Tri ditë përpara organizimit të Festës së Mandarinës në Konispol, kryetari i bashkisë, Erges Dule, ka ftuar fermerët, tregtarët dhe grumbulluesit e agrumeve në një takim për të diskutuar ecurinë e sezonit, shitjen e prodhimit dhe problematikat e hasura deri tani. Takimi do të zhvillohet të hënën, më 16 nëntor, në orën 10:30, në lokalin e Todi Kotes në Mursi.
Përmes një njoftimi publik, Dule u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë në prodhimin dhe tregtimin e agrumeve të marrin pjesë në diskutim.
Ftesa vjen në një moment kur fermerët e zonës janë në kulmin e sezonit të mandarinave dhe kur shitja e prodhimit përbën një nga çështjet më të rëndësishme për ekonominë e familjeve që varen nga bujqësia.
Ndërkohë, Bashkia Konispol ka njoftuar organizimin e Festës së Mandarinës më 19 nëntor, me aktivitete festive dhe pjesëmarrjen e artistëve të ftuar. Festa do të zhvillohet në Kalanë Trekëndore dhe në Xarrë, pranë magazinës së grumbullimit “Pëllumb Saliu”.
Kështu, ndërsa përgatitjet për festën janë bërë publike, vetëm tri ditë përpara saj fermerët ftohen në tryezë për të diskutuar problemet e sezonit. Mbetet për t’u parë se cilat shqetësime do të ngrihen gjatë takimit dhe çfarë zgjidhjesh konkrete do të ofrohen për prodhuesit e mandarinave në Konispol. Saranda Web