Vendosni fjalën kyçe....

Luiza Gega triumfon në Maratonën e Tiranës, fiton garën 42-kilometërshe dhe çmimin prej 5 mijë eurosh


Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur fituese e garës kryesore të Maratonës së Tiranës, duke përshkuar distancën e plotë prej 42 kilometrash dhe duke siguruar çmimin prej 5 mijë eurosh.

Gega triumfoi në edicionin e dhjetë të këtij eventi sportiv, i cili u zhvillua këtë të diel dhe mblodhi rreth 5,800 pjesëmarrës.

Maratona nisi në orën 08:00 dhe këtë vit solli edhe një risi, garën prej 5 kilometrash, e cila synon të përfshijë më shumë qytetarë dhe t’u krijojë mundësi edhe personave që nuk janë atletë profesionistë të bëhen pjesë e aktivitetit.

Organizimi i eventit kërkoi gjashtë muaj përgatitje. Në terren u angazhuan rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.

Për shkak të zhvillimit të maratonës, një pjesë e konsiderueshme e rrugëve të kryeqytetit do të qëndrojnë të bllokuara për qarkullimin e automjeteve deri në orën 16:00.

Të bllokuara do të jenë e gjithë Unaza e Vogël e Tiranës, bulevardi “Zogu i Parë” dhe Bulevardi i Ri. Kufizimet përfshijnë gjithashtu segmentin nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, “Myslym Shyri”, rrugët e ish-Bllokut dhe kryqëzimet që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.

Ndërkohë, për shkak të itinerarit të garës, disa linja të transportit publik urban do të devijohen gjatë ditës.