Bjellorusia, pse është e rëndësishme?! Nga ngjitja në Ligën B, tek shorti i Euro 2028; ndeshja e së dielës bëhet jetike
Shqipëria mbylli përgatitjet për takimin e fundit në Ligën e Kombeve, kundër Bjellorusisë në ndeshjen e cila do të luhet të dielen në orën 18:00 në Budapest.
Kuqezinjtë e zhvilluan seancën e fundit stërvitore në shtëpinë e futbollit në kryeqytet dhe pas drake do të udhetojnë drejt Hungarisë.
Në Budapest, sot në orën 18:30 do të zhvillohet vetëm konferrenca për shtyp e trajnerit Maran dhe një lojtar, teksa stafi teknik ka vendosur të mos kryeje seancë stërvitore duke e ezauruar këtë gjë në Tiranë.
Stadiumi ku do të luhet ndeshja është modest, impianti Illovzhki Rudolf mban vetëm 5 mijë tifozë, ndonëse në këtë rast shifra nuk ka rëndësi sepse takimi do të luhet pa tifozë.
Ndeshja ka rëndësi të madhe për fatet e grupit. Shqipëria është e para me 12 pikë, ndërsa Bjellorusia ndjek me 10 pikë. Me barazim ose fitore kuqezinjte sigurojnë vendin e parë në grup, ndërsa në të kundërt vendi i parë do të shkonte për Bjellorusinë. Vendi i parë ka rëndësi për disa arsye; do të na rikthente në Ligën B, do të mbante në lojë për tu kualifikuar në Europian përmes Ligës së Kombeve dhe për më tepër do të na vendoste përfundimisht në vazon e tretë të shortit për Euro 2028…ndryshe në rast disfata do të vendosesim në vazon e katërt dhe shorti për eleminatoret e europianit do të ishte i disfavorshëm.
Takimin e parë në Tiranë më 26 shtator e fituam 2 me 0 me gola të Asllanit dhe Muçit ndërsa në total kundër bjelloruseve kemi luajtur 8 herë, 4 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Mungesa e deklaruar e trajnerit Maran në këtë duel është Ylber Ramadani i pezulluar dhe vendin e tij në mesfushë pritet ta zërë Julian Shehu.
Pjesa tjetër e skuadrës anti Finlandë duhet të konfirmohet. Sfida tjetër e grupit të dielen është ajo mes Finlandës dhe San Marinos.




