Një debat mes Pandeli Majkos dhe Edi Ramës është zhvilluar në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, ku ish-kryeministri ka ngritur shqetësimin për rreth 1000 video intime që dyshohet se ndodhen në duart e biznesmenit Ergys Agasi. Rama i është përgjigjur duke kujtuar publikimin e fotove të tij nudo në vitin 2008.
Një diskutim mes Pandeli Majkos dhe kryeministrit Edi Rama është zhvilluar gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë së Partisë Socialiste. Në qendër të bisedës kanë qenë rreth 1000 video intime, që përflitet se ndodhen në duart e Ergys Agasit, biznesmenit të akuzuar në dosjen “AKSHI”, dhe ku aludohet se mund të jenë të përfshirë edhe persona nga radhët e socialistëve.
Sipas raportimeve, Majko ka kërkuar që personat e përfshirë në këto materiale të distancohen dhe të largohen nga funksionet që mbajnë. Shqetësimi i tij lidhet edhe me zgjedhjet vendore, të cilat pritet të mbahen pas pak muajsh.
“Se qarkullojnë edhe nja 1000 video intime, ku janë të përfshirë edhe persona këtu. Kush është i përfshirë të largohet”, mësohet të ketë deklaruar Majko gjatë mbledhjes.
Ndërkohë, përgjigjja e Ramës ka qenë një rikujtim i episodit të vitit 2008, kur u publikuan fotografi nudo të tij. Kryeministri ka sjellë si shembull reagimin që pati atëherë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Majkos.
“Pa merak Pandi se kur më dolën mua nudot, vetëm ti dhe mamaja ime u shqetësuat, por vetëm u rritëm në sondazhe”, mësohet t’i jetë përgjigjur Rama.

