Këngëtari britanik James Blunt është rikthyer në krye të klasifikimeve muzikore në Mbretërinë e Bashkuar, pas një mungese prej 19 vjetësh. Sipas të dhënave të publikuara nga Official Charts Company, albumi i tij i ri “Airplane Mode” debutoi në vendin e parë të renditjes britanike.
“Airplane Mode” përmban 12 këngë dhe është projekti i tetë solo i artistit 52-vjeçar. Albumi u publikua të premten, më 13 nëntor, dhe lansimi erdhi në një periudhë kur Blunt ishte në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të pjesëmarrjes në reality show-n e BBC-së, “The Celebrity Traitors”. Në atë format ai arriti deri në treshen e finalistëve, para se të eleminohej nga dy pjesëmarrësit e tjerë, Sebastian “Bass” Croft dhe Romesh Ranganathan. Blunt ka pranuar se një nga arsyet kryesore për të marrë pjesë në spektakël ishte promovimi i muzikës së tij të re, më shumë sesa fitorja e lojës.
Rikthimi në krye të klasifikimeve u shoqërua me një fushatë publicitare me nota humori; artisti kishte premtuar se, nëse albumi do të arrinte vendin e parë, do të ndryshonte zyrtarisht emrin në “Ryan Air”, një referencë humoristike ndaj kompanisë ajrore Ryanair.
Herën e fundit që Blunt kishte kryesuar renditjen britanike me një album ishte në vitin 2007 me “All The Lost Souls”. Para këtij suksesi, ai kishte arritur famë ndërkombëtare me albumin “Back To Bedlam”, të publikuar në vitin 2005, i cili qëndroi në vendin e parë të klasifikimit për dhjetë javë.
Pas shpalljes së suksesit të albumit të ri, James Blunt falënderoi fansat për mbështetjen, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë blerë, shkarkuar apo dëgjuar projektin e tij muzikor.

