“Shqipëria në sytë e Bajronit”, Ansambli Kombëtar ngjitet në skenën e Edinburgut më 23 nëntor
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore për herë të parë në 70 vite, që nga themelimi i tij, udhëton drejt Edinburgh-ut, në Skoci. Me këngët, vallet, muzikën dhe kostumet tradicionale nga të gjitha trevat e Shqipërisë, artistët tanë do të përcjellin në skenë një mozaik të identitetit shqiptar.
“Dy vitet e fundit Ansambli ka pasur një ngritje 80% të shfaqjeve dhe të turneve jashtë shtetit. Në datën 23 nëntor Ansambli do të performojë në një nga skenat, një nga teatrot më të mirë të Edinburgut dhe për ne është një kënaqësi e veçantë që Ansambli Kombëtar të jetë përfaqësues i Shqipërisë në atë skenë. Nuk ka pasur asnjëherë një trup artistike si Ansambli. E kemi quajtur ‘Shqipëria në sytë Bajronit’. Emocionet në këtë rast të Bajronit, të atyre që ai ka shprehur për Shqipërinë, të cilat do të vijnë në mënyrën e recitimit të narracionit nga një aktor, nga një personalitet artistikë anglez. Pjesa tjetër është e gjitha pjesë performanca valle, këngë instrumentale”, tha Sokol Marsi, Drejtori Artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe valleve Popullore.
Por, kjo është njëra nga aktivitetet artistike që sjell Ansambli Popullor në muajin kuq e zi. Pasi për festat kombëtare do të premtojë të tjera surpriza për publikun vendas, me pjesëmarrjen edhe të trupës shqiptare të Ansamblit Popullor të Maqedonisë së Veriut, po ashtu edhe një grup valltarësh nga Shoqata Bashkimi në Zvicër.
“Do të kemi një shfaqje në datën 27 këtu në shesh, sigurisht me temën e festave. Pastaj në datën 28 kemi një premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të titulluar ‘Për ty atdhe’. Në datën 29 sërish do të jemi le të themi në qytetin apo në kryeqytetin e festave të nëntorit që është Vlora”, theksoi Marsi.
Ndërsa sezoni i ri vitin e ardhshëm do të nisë me një kryevepër botërore premierë, e cila nuk vënë asnjëherë në skenë. Bëhet fjalë për “Kostandini dhe Doruntina”, e cila do të vijë si Etnomuzikal nga trupa e Ansamblit në fund të muajit janar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




