Irani nuk ka asnjë synim të sakrifikojë programin e tij të pasurimit të uraniumit në këmbim të një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara. “Ne nuk jemi të gatshëm të ulim nivelin e pasurimit të uraniumit dhe as të pranojmë pezullimin e procesit të pasurimit për të arritur një marrëveshje”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, sipas agjencisë së lajmeve Fars.
Aftësitë e Iranit për një rikthim në luftë ndërkohë, mund të jenë ende në nivele të larta. Ai mund të disponojë ende një arsenal prej 1.500 deri në 2.500 raketash, pavarësisht muajve të tërë të sulmeve amerikane dhe izraelite kundër infrastrukturës së tij ushtarake. Kjo rezulton nga një vlerësim i shërbimeve amerikane të inteligjencës, të cituar nga gazeta The Wall Street Journal, sipas të cilit Teherani do të ruante kapacitete të konsiderueshme për të goditur objektiva amerikane dhe të aleatëve të SHBA-ve në rajon, në rast të rifillimit të luftës.
Zyrtarët amerikanë sqarojnë se ky vlerësim konsiderohet me nivel të ulët besueshmërie, për shkak të vështirësive për të përcaktuar se sa raketa janë të gatshme për lëshim dhe sa të tjera ruhen në depot ushtarake.
Mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, qoftë edhe të një marrëveshjeje paraprake, janë zvogëluar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit. Një nga arsyet është informacioni i inteligjencës që Mossadi i ka përcjellë CIA-s, sipas të cilit Irani do të kishte si synim të godiste presidentin Donald Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij. Këtë pretendim e publikon gazeta konservatore izraelite Israel Hayom. Sipas gazetës, zyrtarë të nivelit të lartë izraelitë dhe amerikanë kanë deklaruar se këto kërcënime përbëjnë një nga faktorët kryesorë që qëndrojnë pas ndryshimit të fundit të qëndrimit të Trumpit ndaj negociatave me Teheranin.






Komente
Komento