
Mediumi izraelit “Sport5” ka reaguar ndaj atmosferës në stadiumin “Fadil Vokrri” gjatë ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, duke komentuar fishkëllimat e tifozëve dhe qëndrimin e disa futbollistëve dardanë gjatë intonimit të himnit izraelit.
Sipas raportimit të mediumit izraelit, disa lojtarë të Kosovës kanë mbajtur kokën ulur gjatë intonimit të himnit “Hatikvah”, veprim që ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
“E turpshme, por jo befasuese”, ka shkruar “Sport5”, duke iu referuar fishkëllimave të tifozëve në stadium.
“Nuk ishte vetëm tifozëria që nuk e respektoi himnin e Izraelit. Ashtu si në ndeshjen e kaluar mes këtyre dy kombëtareve, disa futbollistë të Kosovës nuk e respektuan ‘Hatikvah-n’”, ka shkruar më tej mediumi izraelit.
“Sport5” ka përmendur edhe katër futbollistë të Kosovës, të cilët, sipas raportimit, kanë mbajtur kokën ulur gjatë ceremonisë para fillimit të takimit.
Një veprim i ngjashëm ishte raportuar më herët edhe te futbollistët e Irlandës, si formë proteste ndaj Izraelit.
Ngjarja ka shkaktuar diskutime të shumta, ndërsa qëndrimi i futbollistëve të Kosovës është bërë temë në mediat izraelite.


