Mjegulla e dendur ka përfshirë këtë të diel juglindjen e vendit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve në disa akse kombëtare për shkak të dukshmërisë së ulët.

Situata më problematike paraqitet në segmentin Libonik–Grabovicë, në aksin Korçë–Pogradec. Mjegull dhe vështirësi në shikueshmëri ka edhe në rrugën Voskop–Voskopojë, në segmentin Boboshticë–Dardhë, në disa pjesë të aksit Qafë Plloçë–Qukës dhe në Qafë Thanë.

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të ulin shpejtësinë, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Ndërkohë, patrullat e policisë janë shtuar në akset ku mjegulla është më e dendur, për të monitoruar situatën dhe për të garantuar sigurinë në rrugë.

Deri tani nuk raportohen aksidente rrugore.