Ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Astrit Haraqija (2004- 2008), është mes gjashtë personave të arrestuar gjatë operacionit antidrogë “Heshtja”, të zhvilluar të shtunën në Prishtinë. Aksioni, i ndërmarrë pas disa muajsh hetime, ka çuar në sekuestrimin e kokainës, parave dhe pasurive të tjera me vlerë totale rreth 301 mijë euro.

Sipas Policisë së Kosovës, operacioni kishte në shënjestër një grup të organizuar, të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës. Hetimet disamujore zbuluan një strukturë me hierarki të qartë, nga drejtuesit e dyshuar të grupit deri te personat që merreshin me shpërndarjen e drogës në rrugë.

Në mesin e të arrestuarve janë ish-ministri Astrit Haraqija, Jeton Stanovci, Albana Xhemajli-Ramadani, Alban Maloku dhe Gëzim Feka ndërsa Baftije Feka është shpallur në kërkim.

Avokati i ish-ministrit, Korab Bokshi, ka konfirmuar arrestimin e klientit të tij, duke deklaruar se ai është marrë në pyetje për dyshime që lidhen me kontrabandimin e narkotikëve.

“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh. E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. I kanë caktuar masën e ndalimit për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim”, ka thënë avokati i ish-ministrit. 

Sekuestrohen 1.6 kg kokainë, makina luksoze dhe mijëra euro

Gjatë bastisjeve në disa lokacione në Prishtinë, policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, me vlerë të përllogaritur rreth 111 mijë euro, si dhe sasi marihuane, tableta të dyshuara ekstazie dhe një substancë ende të paidentifikuar.

Në listën e pasurive të sekuestruara janë edhe gjashtë automjete, mes tyre Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan. Autoritetet kanë konfiskuar gjithashtu rreth 16 mijë euro para të gatshme, ora luksoze, përfshirë Rolex, stoli të çmuara, një armë zjarri me municion, telefona dhe pajisje të tjera elektronike.

Sipas Policisë së Kosovës, vlera e përgjithshme e drogës dhe pasurive të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.