Gjykata e Sigurisë së Shtetit në Jordani ka dënuar me vdekje tre persona për sulmin e kryer muajin e kaluar ndaj një kishe në provincën jugore të Karakut, ku mbetën të vrarë nëntë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Vendimi u shpall të dielën, më 15 nëntor, dhe u raportua nga agjencia shtetërore e lajmeve Petra.
Të tre personat u shpallën fajtorë për disa vepra penale, përfshirë kryerjen e akteve terroriste që shkaktuan vdekje, posedimin e armëve dhe municioneve për qëllime terroriste, si dhe përhapjen e ideologjisë së një organizate terroriste.
Sipas agjencisë Petra, vendimi mund të apelohet dhe do t’i nënshtrohet gjithashtu shqyrtimit automatik nga Gjykata e Kasacionit, përcjell Reuters.
Sulmi ndodhi më 23 tetor, në një kishë ortodokse greke në fshatin Hamoud, në provincën e Karakut. Persona të armatosur hapën zjarr gjatë një ceremonie mortore, në një prej sulmeve të rralla ndaj pakicës së krishterë në Jordani.
Nga sulmi mbetën të vrarë nëntë persona, ndërsa 34 të tjerë u plagosën, sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet.
Forcat e sigurisë arrestuan tre të dyshuarit më 26 tetor, pas një shkëmbimi zjarri në një shtëpi të braktisur në Karak. Të tre personat mbetën të plagosur gjatë ndërhyrjes, ndërsa asnjë efektiv i sigurisë nuk u lëndua, bëri të ditur Drejtoria e Sigurisë Publike.
Pas arrestimeve, Jordania ndërmori sulme ajrore në jug të Sirisë kundër grupeve që i lidhte me sulmin ndaj kishës.
Autoritetet siriane deklaruan se nga bombardimet u vranë shtatë persona, mes tyre tre fëmijë dhe një grua.
Më vonë, Jordania pranoi se sulmet e saj ajrore kishin shkaktuar edhe viktima civile në territorin sirian.
Pas incidentit, dy vendet ranë dakord të krijonin një komitet të përbashkët të sigurisë për të shqyrtuar ngjarjen dhe pasojat e saj.
Jordania është një partnere e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër ekstremizmit në rajon.