Romario i drejtohet Ancelottit: Mblidhni gjërat tua dhe largohu
Legjenda e futbollit brazilian, Romario, ka reaguar ashpër pas humbjes së Brazilit në ndeshjen miqësore ndaj Japonisë, duke kërkuar publikisht largimin e trajnerit Carlo Ancelotti nga drejtimi i përfaqësueses.
Brazili u mposht me rezultat 3-2 nga Japonia, një tjetër rezultat zhgënjyes që ka shtuar kritikat ndaj trajnerit italian. Romario, ish-sulmuesi i Barcelonës dhe një prej figurave më të njohura të futbollit brazilian, beson se Ancelotti nuk duhet të vazhdojë më në krye të kombëtares.
Deklaratat e tij, të raportuara nga gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, ishin tejet të drejtpërdrejta.
“Ancelotti, mjaft më! Mblidhi gjërat dhe ik! Kthehu te klubet ku ke bërë emër, sepse kombëtarja jonë nuk mund ta durojë më këtë. Tashmë e kemi turpëruar veten mjaftueshëm dhe nuk mund të rrezikojmë të shkatërrojmë edhe një tjetër Kupë Bote”, ka deklaruar Romario.
Ancelotti u përjashtua nga ndeshja
Përballja me Japoninë u karakterizua edhe nga tensionet në bankinën braziliane. Ancelotti u përjashtua nga gjyqtari para përfundimit të takimit, pas protestave të vazhdueshme ndaj vendimeve të tij.
Megjithatë, pavarësisht kritikave dhe rezultateve zhgënjyese, pozita e trajnerit italian nuk duket të jetë në rrezik të menjëhershëm. Ancelotti ka kontratë me Federatën Braziliane të Futbollit deri në maj të vitit 2030.
Presioni rritet mbi trajnerin italian
Ancelotti mori drejtimin e Brazilit pas një karriere të jashtëzakonshme në futbollin e klubeve, ku drejtoi skuadra si Real Madridi, Milani, Bayern Munichu, Chelsea dhe Paris Saint-Germaini.
Italiani ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve dhe është i vetmi trajner që ka triumfuar në kampionatet e të pesë ligave kryesore evropiane.
Megjithatë, rezultatet me Brazilin nuk kanë përmbushur pritshmëritë e tifozëve dhe opinionit publik. Humbja ndaj Japonisë ka shtuar edhe më shumë presionin mbi të, ndërsa deklarata e Romarios tregon pakënaqësinë që po rritet rreth përfaqësueses pesë herë kampione të botës. /Telegrafi/
































