Radja Nainggolan u shfaq të premten para gjykatës penale të Brukselit, i akuzuar për pastrim parash, të lidhur në mënyrë të tërthortë me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut.

Sipas të përditshmes ‘A Bola’, në këtë proces, Prokuroria belge ka kërkuar dënimin e tij me dy vite burg, ndërsa për personat që dyshohet se qëndronin në krye të organizatës kriminale ka kërkuar 14 vite burg dhe një gjobë prej 800 mijë eurosh. Nga ana tjetër, avokatët e futbollistit kanë kërkuar pafajësinë e plotë të tij.

Sipas organit të akuzës, ish-futbollisti i përfaqësueses belge dyshohet se ka marrë 105.500 euro cash me origjinë të paligjshme nëpërmjet Nasr-Eddine Sekkakit, vëllait më të vogël të të dënuarit për krime Ashraf Sekkaki. Më pas, ai dyshohet se i ka derdhur këto para në shtatë këste në llogarinë bankare të nënës së këtij të fundit, ndonëse ishte në dijeni të origjinës së tyre të paligjshme.

I pyetur nga gjyqtari për arsyet e këtyre transaksioneve me një person me të cilin kishte njohje rastësore, futbollisti e minimizoi ngjarjen, duke u justifikuar me nevojën urgjente për para: ‘Kisha nevojë për para. Nuk mendoja se kush ishte, çfarë bënte apo nga vinin ato para’. Ndërkohë, avokati i tij, Omar Souidi, paraqiti vështirësitë e rënda financiare që e përfshinë Nainggolanin në vitin 2020, pas divorcit. Kalimi nga një pagë mujore prej 450 mijë eurosh te Interi në vetëm 10 mijë euro pas rikthimit në Belgjikë, e bëri të papërballueshëm detyrimin mujor prej 45 mijë eurosh për mbajtjen e familjes, duke çuar edhe në ngrirjen e llogarive të tij bankare në Itali

Duke e cilësuar klientin e tij si “një spektator të thjeshtë”, i cili përfundoi në “një makth surreal” pas dy ditësh të kaluara në qeli dhe ekspozimit ndaj një fushate të gjerë mediatike në mbarë botën, mbrojtja vuri në dukje përpjekjet e ligjshme të Nainggolanit për të siguruar likuiditet financiar. Këto përfshinin tërheqjen e parave nga fondi i pensionit, marrjen e një huaje nga kunati dhe, në fund, kërkimin e ndihmës financiare nga Sekkaki, të cilin ai e njihte si sipërmarrës në fushën e ndërtimit. Edhe avokati i këtij të fundit, Frédéric Thiebaut, kërkoi pushimin e çështjes ndaj klientit të tij, duke argumentuar se transaksionet ishin të gjurmueshme përmes sistemit bankar dhe se paratë e dhëna hua vinin nga aktiviteti i tij në sektorin e pasurive të paluajtshme. ‘Për rrjedhojë, origjina e ligjshme e parave është provuar në mënyrë të pakundërshtueshme– deklaroi ai.

Top Channel