Odiseas Dimas, ish-trajneri i ekipit kombëtar grek të peshëngritjes dhe vëllai i kampionit olimpik Pirro Dhima, është shprehur për herë të parë pas arrestimit në kuadër të hetimeve për trafikimin dhe furnizimin me substanca anabolike. Në një deklaratë për televizionin grek MEGA, Dimas ka mohuar akuzat se ka dhënë me qëllim substanca të ndaluara sportistëve, përfshirë djalin e tij të mitur, dhe ka thënë se ndaj tij është ndërtuar një fushatë dezinformimi. Ai ka deklaruar se “prej dy vitesh kam ndaluar së trajnuari sportistë” dhe se ndihet i shkatërruar nga akuzat.
Dimas tha se për rastin e djalit të tij është përdorur një suplement ushqimor i ligjshëm, në përbërjen e të cilit, sipas tij, nuk ishte deklaruar praninë e një substance anabolike. Sipas tij, një vendim gjyqësor ka trajtuar këtë rast si pakujdesi dhe jo si veprim të qëllimshëm. Për preparatet e gjetura në banesën e tij ai deklaroi se shumica janë të ligjshme, ndërsa për disa të tjera do të tregojë se i përdor për arsye mjekësore.
Në fund të deklaratës, Dimas kërkoi falje për vëllain e tij, Pirro Dhimën, për familjen dhe për qytetarët që e kanë mbështetur kampionin olimpik. Ai tha: “Dua t’i kërkoj falje vëllait tim Pirro Dhima dhe familjes sime, të cilët i kam vendosur në një pozitë të vështirë për shkak të sjelljes sime të pamatur. Kërkoj falje edhe nga të gjithë qytetarët që e kanë dashur Pirro Dhimën.”
Autoritetet dyshojnë se 58-vjeçari është përfshirë në furnizim, ruajtje dhe tregtim të paligjshëm të substancave anabolike, dhe hetimet tregojnë se këto preparate dyshohet se i janë dhënë edhe sportistëve të mitur. Ish-trajneri është paraqitur para hetuesit, nga i cili ka kërkuar dhe ka marrë afat deri të hënën për të përgatitur mbrojtjen e tij. Deri atëherë ai mbetet në paraburgim. Burim: Top Channel.
